RIAD


Arabia Saudite ka ekzekutuar 37 të burgosur për shkak të lidhjeve me terrorizmin, njoftoi ministria e Brendshme. Trupat e dy të ekzekutuarve janë shfaqur në publik për disa orë, veprim ky që nuk praktikohet shpesh në Arabinë Saudite.


Qeveria thotë se kjo mënyrë është mjet i fuqishëm parandalimi për veprime të ngjashme.


Komunikata e ministrisë së Brendshme thotë se personat e ekzekutuar kanë përvetësuar ideologji ekstremiste si dhe kanë formuar celula terroriste me qëllim të përhapjes së kaosit dhe provokimin e përçarjeve midis sekteve, shkruan Rel.

“Këta individë janë gjetur fajtorë për sulme me eksplozivë ndaj forcave të sigurisë duke lënë të vrarë një numër të pjesëtarëve si dhe bashkëpunim me organizatat armike”, thuhet në komunikatë.

Ekzekutimet që ndodhën të martën, fillimisht u miratuan nga ana e oborrit mbretëror.

Disa ditë më parë grupi militant i ashtuquajtur Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmet në një ndërtesë të forcave të sigurisë në Arabinë Saudite.