NAPOLI – Një bos i pazakontë i mafias është gjendur i vrarë në Napoli. Giovani Arrivoli, ishte qëlluar tri herë dhe ishte varrosur në një hendek në afërsi të këtij qyteti. Ai rezultonte i humbur prej tri ditësh. Arrivoli ishte qëlluar dy herë në kokë dhe sipas policisë, bëhet fjalë për një ekzekutim. 41-vjeçari ishte një transeksual, i cili kishte lindur femër, por më pas i ishte nënshtruar kirurgjisë për t’u kthyer në mashkull. Ai ishte një nga anëtarët kryesorë të familjes kriminale të zonës të Pagato Amato-s.

Sipas “Mirror”, e dashura e tij me të cilën ai synonte të martohej kishte njoftuar për humbjen e tij. Pas kërkimeve, policia italiane gjeti trupin në 13 maj, ndërsa mediat lokale shkruanin se kishte pasur shenja që tregonin se Arrivoli ishte torturuar dhe detyruar të gjunjëzohej para se të vritej. Policia nuk ka dhënë deri tani asnjë shpjegim për vrasjen e Arrivoli-t, që ka në pronësi një kafene të quajtur “Blue Moon” në Melito të Napolit, ku familja kriminale zhvillon pjesën më të madhe të biznesit. Sipas teorive të deritanishme, mendohet se mund të jetë një vrasje nga bandat rivale, prishje të pazareve të drogës, apo edhe një paralajmërim i vëllait të vogël të Arrivoli-t, Carmine Borrelo, që thuhej se kishte ngritur një bandë rivale.

Arrivoli ishte liruar nga burgu në vitin 2012. Akuzat ndaj tij kanë qenë kryesisht të lidhura me drogën. Ndërkohë, ditën e djeshme mediat italiane kanë njoftuar se policia ka shoqëruar një person që besohet se ka lidhje me vrasjen. Edhe pse identiteti i tij nuk është bërë i ditur, sipas mediave, personi në fjalë mendohet se ka varrosur transeksualin. Ai është gjendur për shkak të shenjave të gishtave, që kishte lënë në lopatën me të cilën kishte varrosur Giovani Arrivolin. Veç kësaj, policia ka provuar që personi gjendej në atë zonë nga GPS e telefonit të tij. Deri tani, akuza ndaj këtij personi është dhunim kufome dhe favorizim i një klani mafioz.

Giovani Arrivoli, në të vërtet quhej Giovanna Arrivoli dhe ishte e njohur në ambientet mafioze të Melito-s, për shkak të bizneseve me klanet mafioze të territorit. Femra i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike, nëpërmjet së cilës kishte hequr gjoksin, sepse dëshironte që të konsiderohej si një mashkull. Dhe në fakt, në të gjitha ambientet ajo prezantohej si e tillë.
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: