Nga FATMIR POPJA*

ELBASAN – Një aksident që shkaktoi plagosjen e dy personave, njëri prej të cilëve adoleshent, ka ndodhur në vendin e quajtur “rrethrrotullimi i luleve” në autostradën Elbasan–Metalurgji. Burime të Policisë bënë të ditur se si pasojë e përplasjes së dy makinave, kanë mbetur të plagosur të dy drejtuesit e mjeteve me targa CA 3212 TC dhe AA 201 DA.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Përplasja e makinave ka qenë shumë e rëndë dhe me dëme të mëdha materiale. Të plagosurit e aksidentit janë 53-vjeçari Kujtim Kaprri si dhe 14 vjeçari K.B,i cili drejtonte mjetin pa patentë që ia kishte marrë babait të tij pa leje.

Gjithsesi, stafi mjekësor i spitalit kirurgjik bëri të ditur se gjendja shëndetësore e të dy drejtuesve të mjeteve është e rëndë, por jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes paraprakisht konkludoi se shkak i aksidentit ishte shpejtësia si edhe humbja e kontrollit të mjetit që drejtohej nga adoleshenti.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb