NGA FATMIR POPJA

ELBASAN– Një 17-vjeçar nga Elbasani është arrestuar në flagrancë mëngjesin e së shtunës, pasi një ditë më parë pas një debati me mësuesen e tij të Matematikës, e ka goditur atë me shpullë. Ngjarja ka ndodhur ditën e premte, kur 17-vjeçari me iniciale P.XH, në vitin e II–të shkollës së mesme, është paraqitur në shkollë për të dhënë një provim vjeshte.

Ai edhe pse nuk ka shkruar asgjë në provimin e Matematikës, ka kërkuar që mësuesja e tij, 35-vjeçarja me iniciale K.M, ta kalojë atë, me pretendimin se i djeg vitin shkollor.

Por kjo e fundit duket se nuk ka pranuar ta kalojë pasi në provim 17-vjeçari nuk kishte shkruar asgjë, dhe ka vendosur që të mos i vendosë notë kaluese. Duket se këtu ka nisur edhe debati mes nxënësit dhe mësueses, kur ky i fundit pasi e ka ofenduar e ka goditur atë. Pas këtij akti, djali është larguar nga klasa, dhe vetëm një ditë më pas mëngjesin e së shtunës ai është arrestuar nga Policia.

Denoncimin e ka bërë pikërisht mësuesja e tij duke deklaruar në Polici se është fyer edhe goditur nga nxënësi, vetëm se nuk e kaloi në provim. Mësohet se 17-vjeçari gjatë marrjes në pyetje edhe në prani të psikologut ka pranuar se e ka fyer mësuesen, ndërsa nuk ka pranuar faktin se e ka goditur atë.

Gjithsesi Policia e ka arrestuar atë, nën akuzën e “goditjes për shkak të detyrës”, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Elbasan.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: