Nga FATMIR POPJA*

ELBASAN – Nga një zjarr i rënë nga pakujdesia, një fëmije rreth dy vjeç, i cili ndodhej për momentin vetëm në shtëpi, i është rrezikuar seriozisht jeta.

Ngjarja ndodhi në lagjen “Aqif Pasha” të Elbasanit, rreth orës 20.30 të mbrëmjes së kësaj të diele në një shtëpi private përgjatë rrugës “Rinia”.

Fatmirësisht, kur ka rënë zjarri aksidental nga një qiri i lënë ndezur nga e ëma e tij, ajo është kthyer për në banesë vetëm pak pasi kishte dalë për të bërë pazarin tek dyqani i lagjes. E tmerruar nga pamja që i është shfaqur para syve, nëna e dyvjeçarit ka njoftuar shërbimin zjarrfikës, që ka mbërritur me urgjencë në vendin e ngjarjes, duke izoluar flakët dhe shpëtuar fëmijën gjysëm të asfiksuar, i cili është transportuar për në spital për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.

Sipas burimeve spitalore, dyvjeçari A.B. është në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkaq, burime nga vendi i ngjarjes raportuan se dëmtimet e shkaktuara nga zjarri kanë qenë minimale.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: