NGA FATMIR POPJA*

ELBASAN- Një tjetër segment i rëndësishëm rrugor është dëmtuar këtë javë në Qarkun e Elbasanit  duke u bërë i pakalueshëm për automjetet. Gjatë orëve të fundit si rezultat i rrëshqitjes dhe fundosjes së tokës është dëmtuar së tepërmi një segment i rrugës automobilistike që lidh Elbasanin me fshatin Godolesh dhe jo vetëm.

Procesi i rrëshqitjes dhe fundosjes së tokës në këtë zonë  është shfaqur në orët e para të mëngjesit të së premtes dhe po vazhdon  të mbizotërojë duke shkatërruar jo vetëm trasenë e rrugës por duke u bërë kërcënim serioz edhe për disa banesa që ndodhen jo shumë larg këtij aksi rrugor. Situata është tejet problematike jo vetëm përsa i takon qarkullimit me automjete por edhe për jetën e banorëve që i kanë shtëpitë pranë zonës së prekur nga katastrofa natyrore.

Banorët e fshatit Godolesh kanë sinjalizuar zyrën e emergjencave civile si dhe pushtetin vendor për situatën e krijuar, ndërkohë që si pasojë e shirave është dëmtuar pak ditë më parë edhe një pjesë e rrugës që lidh njësitë administrative Labinot Mal dhe Labinot Fushë. Aty një segment rrugor ka rrëshqitur në një pjesë të saj dhe për të evituar çdo rrezik të mundshëm shtabi i emergjencave civile vendosi ta bllokojë përkohësisht atë për çështje sigurie. Duke kërkuar mirëkuptimin e banorëve autoritetet kanë bërë me dije se do të punohet me intensitet për ti bërë funksionale këto akse rrugore nga dëmtimi i të cilave është i pamundur qarkullimi i automjeteve nga Elbasani në drejtim të fshtrave Godolesh, Guri i Zi, Griqan, Labinot Mal etj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: