ELBASAN- Kandidati për kryetar Bashkie i cili kërkon një mandat të tretë, Qazim Sejdini, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, ka votuar në ZAZ-në nr. 50 në ambientet e shkollës “Onufri”.

Pasi ka hedhur votën në kutinë e votimit, Sejdini i është përgjigjur edhe interesit të medias duke deklaruar se “pres të më respektojë qyteti dhe qytetarët, të cilët i kam respektuar dhe do t’i respektoj, do t’u fal dashuri për punën, jetën, familjen dhe gjithçka tjetër. Elbasani i Ri do të jetë Elbasan rajonal, do të jetë Elbasan për t’u pasur zili nga e gjithë Shqipëria”, tha kandidati i ASHE-së për Elbasanin.

Edhe kandidati për kryetar Bashkie i mbështetur nga PD, Ardjan Turku, i shoqëruar nga bashkëshortja, nëna dhe vajza e tij kanë shkuar për të votuar në ZAZ-në 48 të qytetit të Elbasanit. Pas përfundimit të votimit, Turku u bëri apel të gjithë bashkëqytetarëve që në këtë ditë të dalin dhe të ushtrojnë të drejtat e veta ligjore, të drejtat që kanë të bëjnë me lirinë e njeriut dhe individit”.

“Mbi të gjitha të votojnë jashtë çdo presioni dhe me mendje të hapur ashtu siç ia ndjen zemra”, tha ai. Duke u ndalur tek procesi i votimit, Turku tha se “deri më tani procesi është i rregullt”.

“Jam i qetë, fitorja nuk është as e imja as e rivalit, fitorja është kur zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme, larg presioneve dhe jashtë joshjeve me para. Përsëris që i gjithë qyteti dhe komunat të votojnë të lirë të mendojnë me mendje dhe të ndiejnë me shpirtin e tyre se çfarë duhet të bëjnë, të gjitha joshjet e kanë cënuar procesin”, tha ai.

Pyetjes se a ka ndonjë mesazh për rivalin e tij, Turku tha se “nuk kam asnjë mesazh për rivalin, do të doja ta meritonte nëse do të ndodhte fitorja e tij. Por unë nuk e besoj ta meritonte emrin e qytetarit të parë, i cili meritohet kur vërtetë zgjedhjet janë të lira dhe të ndershme”, shtoi ai.

Ndërsa kandidati i koalicionit të majtë për bashkinë e Cërrikut, Altin Toska votoi rreth orës 11: 00 të paradites. Toska ftoi qytetarët të votojnë, për të shprehur atë që mendojnë. “Dua të falenderoj të gjithë qytetarët, komisionerët,si dhe forcat e rendit për këtë ditë sot, pasi është një akt qytetarie ndaj dua t’i falënderoj me gjithë zemër. Gjithashtu,  dua të përshëndes të gjithë ata që votojnë për herë të parë, dhe i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ndërgjegjësohen për të votuar, pasi vota e tyre është shumë e rëndësishme.Unë besoj se çdo gjë do të shkojë mirë në këtë fushatë, siç është thënë dhe më parë ku qytetarët e japin me votën e tyre, mendimin mbi drejtimin e tyre që duan të çojnë vendin.  Për mua më tepër ka rëndësi standardi në këto zgjedhje, se sa vetë rezultati”, përfundoi Toska.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: