Elbasani luan këtë të hënë një ndeshje që mund të vendosë jo pak për fatet e skuadrës këtë edicion.elbasaniKjo, për vetë faktin se duan që të mbajnë të hapur garën për vendin e katërt. Një gjë e tillë arrihet vetëm duke fituar vetë dhe shpresuar tek një hap fals i Partizanit, për të ngushtuar diferencën prej katër pikësh që mbajnë në renditje.
Për këtë arsye, katër përballjet e fundit cilësohen si finale në kampin elbasanas, për të nisur të hënën me kampionët e Egnatias dhe kulmuar në fund me Partizanin, nëse gjithnjë diferenca nuk do të jetë më shumë sesa tri pikë. Ndaj, përballja me rrogozhinasit do t’u shërbejë verdhebluve për të mbajtur shpresat gjallë deri në 90- minutëshin e fundit. Gjendja nga ana morale është e mirë, përpos mungesave për arsye dëmtimesh me të cilat Gvozdenoviç është “mësuar” tashmë.
KËRKOHET SFORCO – Të mundësh Egnatian në Rrogozhinë, nuk është një mision i lehtë, por gjithsesi edhe jo i pamundur. I vetmi që e ka bërë ka qenë Partizani këtë sezon, ndaj për Elbasanin nuk do të jetë edhe aq e thjeshtë për t’ia dalë mbanë. Në klub kërkojnë të gjithë një sforco, për të bërë ndeshjen perfekte, për më tepër që vijnë pas një forme të mirë me rezultatet e javëve të fundit. Bëhet plot një fazë pa u mundur, teksa të fundit që i kanë mposhtur ishin kampionët. Megjithatë, në Elbasan do të hidhen “all-in” për tri pikët, edhe për faktin se nuk ka kohë më për llogari dhe në fund të fundit nuk kanë më asgjë për të humbur. Nuk rrezikojnë mbijetesën, duke qenë të qetë nga mbrapa, çka mund të kthehet në një avantazh për të treguar formën e tyre më të mirë në fushë.
PËRBALLJET – Bilanci në tri ndeshjet mes tyre flet në favor të rrogozhinasve, me dy fitore dhe një barazim, çka tregon se për të besuarit e Ivan Gvozdenoviç nuk do të jetë e lehtë për të shkuar te fitorja. Gjithsesi, përpos rezultateve në fushë që kanë folur për kampionët, verdheblutë nuk kanë qenë inferiorë përgjatë lojës, duke treguar se i kanë mundësitë për të dalë me maksimumin ndaj këtij kundërshtari. Tani mbetet për t’u parë nëse kësaj here fitorja do t’u takojë të besuarve të Gvozdenoviç apo sërish Egnatia do të dijë të marrë maksimumin e saj.