Elbasani e ka mbyllur vitin me një fitore, duke i sjellë trajnerit Ivan Gvozdenoviç tre pikët e para që kur ka marrë drejtimin e skuadrës verdheblu.
Një fitore që përkoi pikërisht në një fushë shumë të njohur për të, në Korçë, ku mundi 2-0 ish-skuadrën e tij, Skënderbeun.
Korçarët dominuan pjesën e parë të ndeshjes, duke krijuar më shumë lojë e raste. Por në të dytën, ishte Elbasani më i vendosur për të arritur fitoren, teksa bllokoi ofensivën e Skënderbeut dhe u mundua të godiste, derisa gjeti momentin e duhur me Lleshin.
Më pas, verdheblutë administruan mirë lojën dhe në fund tundën përsëri rrjetën me Ze Gomesh, për të siguruar tre pikë që i bëjnë të shkojnë më të qetë në pushimin e kampionatit. Ndërsa për Skënderbeun, vazhdon periudha e errët dhe shtohet edhe më shumë rreziku i rënies në Kategorinë e Parë.