Pavarësisht punës së jashtëzakonshme të bërë gjatë gjithë ditës për shuarjen e zjarrit në Landfillin e Elbasanit për momentin është arritur të izolohen flakët në sipërfaqe dhe shuarja ka qenë e përkohshme.
Në thellësi të zonës së Landfillit, ku u shfaq vatra e zjarrit sot herët në mëngjes dyshohet se ajo mund të jetë aktive si furrnaltë.Përmasat e zjarrit mendohet se janë mjaft të mëdha dhe mund të ketë fuqi mjaft të madhe për t’u riaktivizuar sërish në sipërfaqe.
Pas orës 16:30 situata është normalizuar dhe në sipërfaqe të Landfillit ka vetëm avuj uji dhe vende-vende re të vogla tymi. Ndërkaq automjetet e shërbimit zjarrfikës vazhdojnë të hedhin ujë pandërprerë .
Nëse situata nuk normalizohet në këtë mënyrë mendohet që kjo pjesë e fushës së mbetjeve të mbulohet me inerte dhe dhera, për të evituar plotësisht daljen e flakëve dhe tymit mbi sipërfaqe.
Zjarri në fushën e mbetjeve të inceneratorit të Elbasanit, Policia: Flakët janë shuar!
Policia e Elbasanit ka reaguar pas zjarrit të shfaqur në fushën e grumbullimit të mbetjeve të inceneratorit të Elbasanit. Autoritetet policore në Elbasan bëjnë të ditur se shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur neutralizimin dhe shuarjen e flakëve që përfshinë mbetjet mëngjesin e kësaj të shtune.Sipas policisë dyshimet janë se zjarri ka rënë nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e përbërjes së mbetjeve. Ndërkohë grupi hetimor vijon të punën për të përcaktuar shkakun e saktë të rënies së zjarrit.
Njoftimi i Policisë:
Mëngjesin e sotëm, ka rënë zjarr në pikën për grumbullimin e mbetjeve, në fshatin Katund i Ri. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ndërkohë që shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur neutralizimin dhe shuarjen e zjarrit. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e përbërjes së mbetjeve. Grupi hetimor vijon të punën për të përcaktuar shkakun e saktë të rënies së zjarrit.
(Balkawneb)