Që prej orës 05.00 të mëngjesit të kësaj fundjave fusha e mbetjeve tek inceneratori i Elbasanit është përfshirë nga flakët të cilat janë përhapur në një pjesë të madhe të saj.
Shtëllunga gjigande e tymit dhe era e keqe e shkaktuar nga djegia e mbeturinave është përhapur në të gjithë lagjen periferike të qytetit të Elbasanit duke u kthyer në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve në zonën përreth e cila është një zonë mjaft e populluar.
Vatra e zjarrit e shkaktuar në fushën e grumbullimit të plehrave pranë incineratorit të Elbasanit është mjaft aktive prej disa orësh.
Për momentin nuk janë të qarta shkaqet e rënies së flakëve, por dyshimet janë për zjarrvënie edhe pse siguria në të gjithë zonën ku ndodhet inceneratori është e shkallës së lartë.
Në incineratorin e Elbasanit prej kohësh procesi i ndarjes dhe djegies nuk kryhet, ndërsa fusha e plehrave është e tejmbushur.
Gjatë dy viteve të fundit, landfilli i Elbasanit është përfshirë nga flakët disa herë. Për shuarjen e tyre është dashur ndërhyrja e qindra forcave të shërbimit zjarrfikës, emergjencave dhe ushtrisë.