Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me simpatizantët e partisë në Elbasan, prezantoi kandidatët për zgjedhjet e ardhshme, duke theksuar rëndësinë e përfaqësuesve të besueshëm dhe të njohur për komunitetin.

Ai theksoi se ky ekip është garant për realizimin e programit për një Elbasan dhe një Shqipëri madhështore, duke e quajtur atë një plan të qartë dhe të realizueshëm, ndërsa akuzoi ministrat socialistë Taulant Balla dhe Arbjan Mazniku se janë të lidhur respektivisht me Suel Çelën dhe Ndraghetan.

“Deputetët e krahut tjetër janë një përzierje e krimit të organizuar dhe politikës. Ata janë kandidatë të krimit qeveritar, të krimit ordiner, të krimit të mafies,” akuzoi Berisha, duke iu referuar kundërshtarëve politikë.

Berisha bëri thirrje për mobilizimin e qytetarëve të Elbasanit për të votuar demokratët, duke theksuar se “Elbasani nuk është i mafies, është i dijes, qytetërimit, burrërisë dhe mençurisë.”

“Miqtë e mi, ne paraqesim para jush sot kandidatë, djem, vajza, burra dhe gra fisnikë, njerëz që ju i njihni. Këtu kemi Tomorr Alizotin, një nga përfaqësuesit më dinjitozë të brezit të tij.
Por edhe një nga përfaqësuesit më dinjitozë të asaj shtrese që sakrifikoi jetë dhe qindra e mijëra vite jete për liri, dinjitet dhe vlerat njerëzore, të persekutuarit politikë.
Ne vijmë këtu me këtë ekip, i njohur për ju dhe asnjë anonim.
Ne vijmë këtu me këtë ekip kandidatësh që u kanë shërbyer ju në të gjitha fushat.
Dhe fjala ime e nderit është se ky ekip, deputetë në parlamentin shqiptar, është garanti më i fuqishëm për të bërë realitet programin e Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore pikë për pikë.
Deputetët e krahut tjetër janë përzierje Ndragheta-Çela. Edhe Balla, por Balla është mbrapa.
Janë pra kandidatë të krimit qeveritar, të krimit ordiner, të krimit të mafies.
Arbjan, ty të solli Edi Rama në Elbasan për të shpëtuar lëkurën se ortakun tënd, Milorancin, antimafia italiane e çoi atë ku duhej të ishte.
Të solli këtu në Elbasan me lejtnant Suel Çelën dhe bandën e tij.
Qytetarë të Elbasanit, ja ku jap fjalën e nderit, se banda aty ku është, se banda në qeveri, se Arbjani i Ndraghetës, se Taulanti i Suel Çelës do shkojnë aty ku e kanë vendin.
Mos mendoni ju se mund të lozni me virtytin, me guximin, me trimërinë e demokratëve, e qytetarëve të Elbasanit. Ju do merrni atë që meritoni.
Elbasani nuk është i mafies, është i dijes, është i qytetërimit, është i burrërisë, është i mençurisë”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb