Elbasani do të nisë mesjavën që vjen aventurën në Kupën e Shqipërisë.
Ky kompeticion është një ndër synimet e klubit për t’i shkuar deri në fund, ndonëse është ende herët për të menduar se deri ku mund të arrijë. Gjithsesi, turi i ardhshëm është një detyrim, për më tepër që kanë përballë një kundërshtar modest në letër. Të mërkurën verdheblutë do të luajnë “derbin” e Prefekturës, aty ku do të sfidojnë skuadrën e Turbinës. Një ndeshje, që mbi të gjitha do t’i shërbejë teknikut Roberto Bordin për t’u dhënë mundësinë lojtarëve që kanë pasur më pak minuta në dispozicion dhe pse jo të harmonizojë edhe më tepër grupin. Kjo sfidë është një mundësi e mirë edhe për sulmuesit që nuk janë zhbllokuar ende me golat, si Tsage dhe Gjoni, të cilët gjatë këtyre ndeshjeve të para kanë qenë ata që kanë bërë “pykën” në majë e sulmit.
MBYLLET “ELBASAN ARENA” – Mësohet se kjo ndeshje do të luhet në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja”, pasi për momentin “Elbasan Arena” do të qëndrojë i mbyllur, për shkak se është duke u riparuar fusha. Fillimisht u hodh ideja që të luhej edhe në qytetin e Cërrikut, por ra shumë shpejt si pistë dhe është lënë që të mos largohen nga qyteti i Elbasanit, por të zhvendosen disa qindra metra më tutje në kompleksin e skuadrës, aty ku është shtruar tapeti i ri me bar artificial. Fill pas ndeshjes me Vllazninë, ku verdheblutë barazuan pa gola, në impiant nisi riparimi i tapetit të fushës dhe gjasat janë që të jetë i gatshëm pikërisht në përballjen ndaj Partizanit.
Për këtë arsye, është gjendur një moment pauze disa ditore për t’i bërë këto ndërhyrje. Shpresohet që ndaj të kuqve të jetë i gatshëm, edhe pse mbetet për t’u parë sesi do të shkojë faza e restaurimit. Bëhet fjalë për një ndër stadiumet që i ka rezistuar më së shumti që nga rindërtimi i tij para 10 vjetësh, duke bërë që në çdo sezon të ketë një mbipopullim ndeshjesh, ku thuajse të gjitha ekipet e Superiores e kanë pasur për të paktën një herë si stadiumin ku kanë luajtur si pritës. Shpeshherë është parë si stadium që ka shpëtuar edhe Superioren, duke qenë se një periudhë kohe shumë skuadra nuk kishin fusha ku të luanin dhe në këtë stadium luhej edhe nga dy herë në javë, duke përfshirë edhe sfidat e Kombëtares.