Elbasani është në kërkim të pikëve për të mos iu larguar shumë zonës “Final 4” dhe mbajtur gjallë shpresat që në fund të edicionit të jetë mes katër më të mirave.

Mision jo shumë i lehtë për t’u arritur, duke parë që verdhebluve u ka munguar vazhdimësia në rezultate, ndaj edhe për momentin kanë mbetur në vendin e pestë apo atë që quhet ndryshe edhe si “mesi i artë”. Edhe pse lëvizjet në pankinë me largimin e Roberto Bordin dhe afrimin e Ivan Gvozdenoviç nuk ishin të menduara më herët, në Elbasan shpresojnë që ky ndryshim të sjellë një impuls të ri në skuadër dhe pak e nga pak të ngjisin shkallët në klasifikim.

PROBLEMET – Shansi i keq i Gvozdenoviç është që nuk e gjen skuadrën ashtu siç do të dëshironte. Përpos kohës shumë të paktë në dispozicion, serbi duhet të mendojë për një skuadër të përgjysmuar, sepse pjesa kryesore e titullarëve janë të dëmtuar. Mungesa më e rëndësishme është ajo e portugezit Ze Gomesh, i cili për arsye dëmtimesh u bë kohë që nuk po luan me verdheblutë dhe gjasat janë që ky vit të ketë përfunduar për të dhe Gvozdenoviç duhet të bëjë llogaritë pa sulmuesin kryesor. Në të njëjtën situatë është edhe Bruno Telushi me Edon Hasanin, të cilët gjithashtu po mungojnë gjatë për shkak dëmtimi, duke lënë një boshllëk jo të vogël në skuadër. Bëhet fjalë për tre futbollistë kyç, që nuk është e lehtë të zëvendësohen. Pasojat e mungesave të tyre, përfshi edhe të tjerë që janë rikuperuar, kanë pasur një ndikim jo të vogël në performancën e ekipit. Për këtë arsye, Gvozdenoviç duhet të gjejë zgjidhje këto dy ndeshje të këtij viti, edhe pse ka ende shpresa për ndonjë rikuperim të mundshëm.

ANTI-PARTIZANI – Nuk duhet harruar se Gvozdenoviç mori në dorë frenat e skuadrës pikërisht në kohën kur Elbasani ka një kalendar “zjarri”. Mirëpo, pas humbjes ndaj Vllaznisë, në kampin verdheblu janë duke u fokusuar tërësisht te përballja me Partizanin. E para është mbyllur në barazim 1-1 në “Elbasan Arena”, ku nuk munguan polemikat për një pretendim për penallti dhe gol të anuluar të Elbasanit. Verdheblutë pretendonin të merrnin kryesimin në atë sfidë, ndërsa tani duan që t’i afrohen zonës së Europës. Pritet që Gvozdenoviç të ndryshojë diçka nga ndeshja me Vllazninë, ku për shkak të kohës së paktë në dispozicion, luajti sërish me skemën dhe lojtarët e preferuar të Roberto Bordin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb