Elbasani ka sulmin më të mirë në kampionat dhe jo më kot qëndron në krye të klasifikimit. Shumë skuadra kanë qenë të “vogla” për elbasanasit këtë sezon, ku këtë e tregojnë rezultatet dhe loja e bërë ndaj tyre. Por, këtë fundjavë verdheblutë do të provojnë me të vërtetë një kundërshtar të drejtpërdrejtë, siç është Orikumi.

Gjithsesi, deri në fundjavë ka disa ditë kohë për përgatitje, ndërkohë që verdheblutë mund t’u gëzohen atyre që kanë bërë deri më tani në kampionat. Në 19 ndeshje kanë shënuar 44 gola, duke pasur sulmin më të mirë në kampionat. E veçanta ka të bëjë me faktin se elbasanasit kanë shënuar në plot 18 ndeshje, duke qenë “shterpë” vetëm në barazimin e Këlcyrës fazën e parë në shifrat 0-0.

Sukses nuk kanë vetëm në aspektin e sulmit, por edhe shifrat në mbrojtje i japin shpresë verdhebluve duke u bërë “presion” kundërshtarëve të radhës. Është mbrojtja e dytë më e mirë e kampionatit me 9 gola të pësuar, pas Albpetrolit me 8. Aktualisht, elbasanasit vijnë pas katër ndeshjesh radhazi që nuk pësojnë gol, ndërkohë që gjatë gjithë kampionatit porta ka qenë e paprekur në 11 raste. Në fakt, disa prej golave të pësuar në disa ndeshje nuk u kanë prishur asnjë punë, pasi rezultati ka qenë i thellë dhe nuk është vënë në rrezik. Kështu, para finales së sezonit në Orikum, verdheblutë bëjnë “presion” me shifrat e arritura.
Burimi: http://www.panorama.com.al/sport/elbasani-si-makine-golash-shenon-44-gola-ne-19-ndeshje/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: