TIRANE – Ndonëse në pritje të një fëmije, që ajo zbulon se është vajzë, karakteri i Elisa Spiropalit nuk është “zbutur” aspak. Nuk e fsheh se është e lumtur, duke e quajtur beben “bijë pasioni”, por as është në fluturim. Drejtorja e Përgjithshme e Doganave tregon për martesën, bashkëshortin dhe shtatzëninë. Si do ta ngrejë raportin mes punës dhe familjes. Si i sheh Kryeministri martesat e “vajzave beqare”, që zgjodhi për poste kyçe.
Elisa Spiropali nuk sheh ëndrra me pantofla e fustane rozë. Jo vetëm se këto lloj skenash me petale trëndafili nuk janë asfare në karakterin e saj, por edhe po të ishin e po të donte, nuk ka fort kohë. Nuk ka dëshirë të flitet për jetën e saj personale. Nuk e fsheh, por as e trumbeton. Madje martesa e saj i gjeti edhe mediat “të papërgatitura”. Nuk bëri një vit përgatitje e nuk bëri namin me fustane e qindra të ftuar. Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave ka disa muaj që po përjeton shëndetshëm shtatzëninë e vet, ndërsa vazhdon me të njëjtin intensitet edhe punën. Mendon se ky ritëm do të vazhdojë edhe pas sjelljes në jetë të së bijës, të cilës, bashkë me të shoqin, Salarjonin, i kanë gjetur një emër “që do të çudisë botën”. Dita e Krishtlindjeve e gjeti në udhëtim drejt Selanikut, ndërkohë që pak kohë ka të mendojë për festa, “muajra mjalti” apo “java hëne”, siç i cilëson ajo. Ndërkohë deklaratën e dikurshme të Kryeministrit Edi Rama, që “drejtoreshat e reja i zgjodha se janë beqare dhe pa fëmijë…”, duket se e ka harruar. “Çfarë lidhje ka Kryeministri dhe gjykimi i tij me ‘momentin’ e martesës dhe shtatzëninë time?!”, shprehet Spiropali, ndërsa shton se nuk beson që “Edi Rama të ketë kërcyer nga gëzimi dhe as të jetë mrrylur nga inati se ai si Kryeministër bëri një djalë, një Zaho, ndërsa bashkëpunëtorja e tij që drejton Doganat pret të lindë një vajzë….”. Edhe pse posti që mban e bën atë një nga gratë më të pushtetshme në Shqipëri, kjo nuk do të thotë se shtatzënia e saj po kalon ndryshe nga e çdo gruaje tjetër. Ka shtuar në peshë, ia bën me sy buka e thekur, konsultohet vazhdimisht me mjeken… Asgjë e jashtëzakonshme, madje ajo ngul këmbë në faktin se ajo dhe i shoqi janë njerëz tërësisht normalë dhe se do të rrisin një vajzë normale, as të llastuar dhe as spartane. Për të gjitha Elisa na tregon vetë përmes një interviste për suplementin “Unë gruaja”, shoqëruar me pak ironi dhe me gaz në buzë…
Si ju ka ndryshuar jeta pas martesës?
Ju ndoshta prisni t’ju them se pas martesës ndihem e lumtur si një princeshë, e lehtë si një puhizë ose si një mjellmë e bardhë që fluturon në qiellin e shtatë, të tetë, e të pesëmbëdhjetë etj. Nuk jam rasti. Nuk do ishte dhe keq, por nuk e kam ndërmend të fryj si puhizë e as të fluturoj si mjellmë.
Martesa ka atë rëndësi që ka. Është një gur kilometrik në rrugën e jetës, që shënon fillimin e telasheve dhe kënaqësive të mëtejshme që do provosh në jetë. Martesa nuk është ndonjë ububu si e marrin disa dhe as ndonjë tralala si e marrin ca të tjerë. Një martesë normale, një jetë normale, i shton sfida jodramatike.
Si po e përjetoni pritjen e një fëmije dhe çfarë përgatitjesh po bëni në lidhje me ardhjen e bebes mes jush?
Ndihem e lumtur që po pres një vajzë. Uroj dhe shpresoj të jetë vajzë e bukur, përderisa është bijë pasioni. Por nuk besoj se bebja do vijë “mes nesh”, e aq më pak para, mbrapa, majtas, djathtas, lart apo poshtë nesh. As unë, as Salarjoni nuk jemi patetikë të papërmbajtur që entuziazmohemi pakufi nga ardhja e bebes sonë në jetë. E konsiderojmë këtë ardhje një gjë më se të natyrshme. Salarjoni është një baba i mirë, që pret një bebe të bukur, as mes nesh e as anash nesh, por në një krevat të vogël, mundësisht djep (ah ku ma gjen djep!), që ai dhe unë ta përkëdhelim çdo mëngjes dhe ta vëmë në gjumë çdo mbrëmje, duke e përkundur e duke i pëshpëritur në vesh nina-nana të ëmbla. Jemi të përgatitur gjithashtu edhe për të qara, ngritje në mesnatë, pelena të ndotura e të tjera e të tjera, që edhe këto i konsiderojmë më se të natyrshme.
Ku mendoni ta lindni beben? A i keni gjetur një emër? Keni një mjek me të cilin po ndiqni shtatzëninë?
Nuk do ta “lindim”, por do ta lind unë, se Salarjoni prej muajsh ka mbaruar punë me beben. Kemi gjetur një emër për vajzën. Është një emër, të cilin e mbajmë sekret dhe do ta bëjmë surprizë, një emër që do çudisë dynjanë. Po bëj vizita periodike në një klinikë tek e cila konsultohem me një mjeke serioze dhe rigoroze, si i duam unë dhe Salarjoni, pa shumë fjalë, pa meraqe, pa salltanete.
Ndiheni komode me ndryshimet në fizikun tuaj? Sa e vështirë është t’u përshtateni ndryshimeve në trupin tuaj? Keni ndonjë “regjim” të veçantë ushqimor? Po për të zgjedhur veshjet e duhura, a keni vështirësi?
Sigurisht që ndiej ndryshime, por nuk ndiej asnjë vështirësi dhe asnjë bezdi. Nëse mund të quhet “regjim i veçantë ushqimor” u jam vërsulur të ngrënave të fëmijërisë, djathit, ullinjve, bukës së thekur. Sa u përket veshjeve, nuk kuptoj se cili është problemi dhe çfarë kuptimi ka pyetja: veshje më të gjera dhe pikë. Kam parë veshje të stiluara për femra shtatzëna, sidomos nëpër filma. Nuk kam ndërmend t’i imitoj.
Kur keni planifikuar të merrni pushimet e lindjes dhe kur mendoni se mund të ktheheni në detyrë?
Të siguroj se edhe gjatë lindjes do ta kem kokën plot me kamionë, anije, dogana, rreziqe, kontrolle për kontrabanda etj. Ndoshta do të bëj disa ditë pushim. Por zor se do kem kohë për muajra mjalti e javëra hëne, si nëpër filma.
Në prag të shndërrimit në “mami” na rrëfeni diçka më tepër për personin që keni në krah dhe që po ju bën “dhuratën” e mëmësisë.
Salarjon Totaj nuk është “personi që kam në krah”. Salarjoni është burri im, një lab energjik e i sertë, që s’e gjen në tërë Labërinë. As Salarjoni në prag të të qenët “babi”, as unë në prag të të qenët “mami” nuk po i dhurojmë gjë njëri-tjetrit. Dhurata është diçka që dikush vete e blen në një dyqan dhe vjen e ia fal tjetrit në formë surprize. Asgjë që bëhet në bashkëpunim, si bebja ynë, nuk mund të quhet “dhuratë” dhe asgjë që pritet me muaj nuk mund të konsiderohet “surprizë”.
Unë dhe Salarjoni nuk jemi nga ata që merakosemi dhe kujdesemi për mjek personal, fustan shtatzënie e më the e të thashë. Nuk e njohim qibarllëkun e tepruar. Ne të dy nuk bëjmë asnjë dallim mes gatimeve të sofistikuara të restoranteve të Milanos dhe byrekut me hithra të cilitdo katund të Shkodrës apo Labërisë. Aspak për mburrje, jemi të thjeshtë. Nuk e kemi problem të trokasim e të hyjmë të hamë byrek me hithra, fasule e pimë dhallë kur na merr uria, në çdo katund, më këndshëm se në çdo “Hilton” apo “Sheraton” me pjata porcelani, pirunë e thika që rrëzëllejnë frikshëm.
Si mendoni do të ndryshojë jeta, karriera juaj pas ardhjes në jetë të bebes, për më tepër duke qenë e angazhuar në pushtet dhe politikë?
Pas ardhjes në jetë të bebes, jeta ime do ndryshojë aq tepër, sa në shtëpinë tonë do të vijë Hollivudi e do të bëjë një film me titull “Elisa e Çudirave u bë nënë”. Po ç’film e ç’Hollivud, moj e dashur! Unë do të vazhdoj punën, bebja do të vazhdojë të rritet e të edukohet, Salarjoni do të punojë si të gjithë burrat. Kaq.
Mendoni se ka ndryshuar “këndvështrimi” apo gjykimi i Kryeministrit Edi Rama ndaj jush në momentin që u martuat dhe u mësua shtatzënia tuaj?
Çfarë lidhje ka Kryeministri dhe gjykimi i tij me ‘momentin’ e martesës dhe shtatzëninë time?! Pas gjithë telasheve për vendosjen e ligjshmërisë, prishjes së ndërtimeve pa leje, mospagimit të energjisë, punëve të panumërta të pushtetit, vizitave në Serbi, problemet e rajonit, edhe “këndvështrimin” dhe “gjykimin” për martesën time kishte mangët Edi Rama. Ç’punë ka Edi Rama të kujdeset dhe të “gjykojë” dhe “këndvështrojë” shtatzënitë e grave të partisë dhe të pushtetit?! Nuk besoj që Edi Rama të ketë kërcyer nga gëzimi dhe as të jetë mrrylur nga inati se ai si Kryeministër bëri një djalë, një Zaho, ndërsa bashkëpunëtorja e tij që drejton Doganat pret të lindë një vajzë me emrin…. Jo, nuk e tregoj emrin, do të jetë surprizë!:)
Nëse ktheheni pas në kohë, çfarë do doni që fëmijëria e fëmijës tuaj të ketë dhe të mos ketë nga fëmijëria juaj?
Kufizimet materiale ekstreme të diktaturës dhe post-diktaturës, pengimi për t’u shprehur, për të udhëtuar etj., janë tashmë gjëra që fëmija im dhe shumica e fëmijëve shqiptarë i kanë të siguruara. Por kjo nuk do të thotë aspak se unë dhe Salarjoni beben tonë do ta mbajmë me pekule: për shembull, ta pajisim me makinë të shtrenjtë që të mos i shkelë këmba në tokë, t’i mundësojmë të udhëtojë nëpër botë me avionë të klasit biznes nëpër vende të largëta dhe ekzotike, ku do bëjë çfarë t’i teket etj. etj., që me duart tona të gatuajmë një analfabete funksionale të dhjamosur nga rehatllëku, sedentarizmi dhe pandjeshmëria. Jo-jo-jo dhe jo! Vajza jonë nuk do të rritet e tillë! Nuk e kemi ndërmend gjithashtu as ta mësojmë vajzën tonë të jetojë spartançe, të flejë mbi rrogoz dhe për jastëk të ketë një trung. Do ta mësojmë të jetojë thjesht dhe me dinjitet. Të mësojë e të punojë shumë. T’i njohë rrënjët e veta. Sytë dhe mendjen të mos i mbajë nga bota, por ta njohë e ta dojë pa fund vendin e vet, Shqipërinë, së cilës t’i dedikojë jetën, aq sa dhe ashtu si unë dhe Salarjoni kemi bërë, po bëjmë e do bëjmë derisa të kemi frymë.
Në të ardhmen e shihni veten në politikë, si një zonjë me karrierë të suksesshme apo si nënë e përkushtuar në familje?
Do të vazhdoj të bëj çmos të jem njëkohësisht, sa zonjë me karrierë të suksesshme, edhe nënë e përkushtuar. Kështu e kam konceptuar ekzistencën time. E njëjta gjë edhe me Salarjonin. Edhe ai do jetë një zotni në punë dhe një baba i përkushtuar.
Mendoni se Shqipëria është vend i mirë për të rritur dhe edukuar fëmijën tuaj?
Nuk kam asnjë arsye të jem fataliste apo disfatiste. Me klimë të mirë, bukuri mahnitëse, diell, dritë, male, lumenj, pyje, toka pjellore, Shqipëria ka gjithçka për të rritur fëmijë të shëndetshëm, të edukuar, të vlefshëm.
(er.nu/une gruaja/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: