TIRANË

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha nga studioja e lajmeve në “News 24” se opozita lëshoi Kuvendin dhe u përpoq të krijonte një imazh negativ të vendit, në një kohë kur Shqipëria pret çeljen e negociatave.

Ajo tha se shqiptarët i kanë besuar qeverisjen e vendit Partisë Socialiste, ndërsa pohoi se asnjë dhunë apo presion nuk e pengon qeverisjen e Edi Ramës. Gjithashtu Elisa Spiropali nënvizoi faktin se dalja e opozitës në rrugë ka për qëllim të frenojë reformën në drejtësi, por edhe pengimin në hapjen e negociatave.

“Parlamenti është legjitim, qeveria është legjitime, sepse ka dalë nga një palë zgjedhjesh të certifikuara. Opozita bëhet problem për palën ndërkombëtare në një kohë shumë të rëndësishme për vendin. Kjo protestë e opozitës synon tre gjera. E para,  i gjithë aksioni opozitar synon që të cenojë çeljen e negociatave, me pretendimin se çelja e negociatave  është një dorë për qeverinë, por në fakt kjo është një e mirë që do të prekë të gjithë shqiptarët.

E dyta, opozita nxin imazhin e vendit në mediat ndërkombëtare. Kjo është një gjë që nuk ndodh me asnjë opozitë në rajon. Ka protesta në rajon, por në interesin kombëtar janë në një mendje.  Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe sigurisht ata shohin sondazhet, si Basha dhe si Kryemadhi nuk kanë arritur të bëjnë një program dhe një alternativë për t’iu kërkuar votën shqiptarëve. E treta, reforma në drejtësia ka shkaktuar shumë pagjumësi në radhët e opozitës. Ne nuk i dimë arsye, ata i dinë më mirë. Por ne nuk mund ta kthejmë mrapsht reformën. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë një vend si të barabartë për opozitën. Ne nuk kemi ndërmend të bëjmë pazare apo të gjejmë rrugë ekstraligjore. Ne nuk e kemi nxjerr opozitën nga Kuvendi. Ne jemi të gatshëm që të marrim mendimet e tyre për reformën zgjedhore, që të kemi një kod të rregulluar sipas standardeve të OSBE-ODHIR. Është e disata herë që opozita bën protestë.  Ata kanë bëri thirrje për të tërhequr zvarrë deputetë dhe kryeministrin. Veprimet e dhunshme nga opozita kanë tkurrur turizmi. Jemi të vendosur për ta dërguar Shqipërinë përpara. Do ishte fatkeqësi që opozita të mos marrë në zgjedhje”, tha Spiropali.

E pyetur për zërat “kritikë” brenda Partisë Socialistë, zëdhënësja e qeverisë tha se në selinë rozë nuk ka divergjenca, por vendin e tyre, e zënë dialogu dhe solidariteti.

“Zoti Bushati, fjalimi i tij ishte shumë i qartë. Të them të drejtën nuk dëgjoj shumë bubërrimet e medias, e kuptoj se aty ka një element sensacioni, por të jeni të bindur se brenda PS Ka një kohezion dhe një solidaritet. Koha e ndarjes së tepsisë ka marrë fund dhe tani është koha që Shqipëria të shkojë dhe të përqafojë vlerat europiane”-shtoi ajo.

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb