Elon Musk, një nga mbështetësit më të fuqishëm të Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe kundërshtar i politikës së relaksuar të emigracionit, duket se e ka nisur karrierën e tij duke qenë në Shtetet e Bashkuara ilegalisht, siç zbulohet nga Washington Post.

Gazeta amerikane në raportin e saj shkruan se Musk, i lindur në Pretoria të Afrikës së Jugut, në 1971, mbërriti në Palo Alto të Kalifornisë në vitin 1995 për të studiuar në Universitetin Stanford, por nuk përfundoi asnjëherë regjistrimin në programin e tij master atje. Në vend të kësaj, ai themeloi kompaninë e softuerit Zip2, të cilën e shiti në vitin 1999 për rreth 300 milionë dollarë.

Raporti i Washington Post

Mungesa e një leje pune ligjore ngriti shqetësime kur Mohr Davidow Ventures investoi 3 milionë dollarë në Zip2, me një marrëveshje që kërkonte që Musk dhe vëllai i tij Kimball të merrnin një leje pune ligjore brenda 45 ditëve. “Firma e investimeve nuk donte të rrezikonte të ardhmen e kompanisë nëse themeluesit e saj deportoheshin,” shpjegoi anëtari i atëhershëm i bordit të Zip2, Derek Proudian.

  • foto galeri
  • foto galeri

Në një raport të vitit 2005, Musk pranoi se ai aplikoi në Stanford thjesht për të qëndruar në SHBA, pasi ai nuk kishte as para për kërkime dhe as leje qëndrimi të ligjshëm. Në të njëjtën kohë, në një deponim të vitit 2009, ai shprehet se pak ditë pas mbërritjes, ka vendosur të mos ndjekë kurset, duke nisur menjëherë punën në Zip2.

Sipas gazetës, vendimi i tij e la atë pa bazë ligjore për të qëndruar në vend. Ish-avokati i Departamentit të Drejtësisë, Leon Fresco, thekson: “Nuk mund ta braktisësh shkollën për të nisur një biznes, edhe nëse nuk paguhesh menjëherë”.

Politika amerikane e imigracionit në vitet 1990 për studentët ishte më e relaksuar veçanërisht përpara sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Musk, i cili mori nënshtetësinë kanadeze përmes nënës së tij, nuk do të kishte nevojë për vizë të Departamentit të Shtetit për të studiuar në një universitet amerikan. Ai thjesht mund t’u tregonte rojeve kufitare amerikane dokumentet e regjistrimit në universitetin amerikan dhe të hynte në Shtetet e Bashkuara nën statusin e studentit, thanë ekspertët ligjorë.

Studentët ndërkombëtarë të regjistruar në programet e diplomës në SHBA mund të lejohen të punojnë me kohë të pjesshme dhe për një periudhë të kufizuar kohore në mënyrë që të plotësojnë kërkesat e tyre për diplomë. Adam Cohen, autor i “Doracakut të Imigracionit Akademik” dhe një avokat i specializuar në vizat e punës, tha se Musk mund të merrte një leje pune si student, por kjo do t’i kërkonte atij të ndiqte një kurs të plotë studimi në Stanford.

Ish-bashkëpunëtorët e Musk në Zip2 theksojnë se qëndrimi i tij në vend nuk do të ishte lejuar nëse ky fakt do të dilte në dritë. Megjithatë, Musk duket se e minimizon këtë çështje, pasi në vitin 2020 deklaroi se kishte një “leje pune studentore”, gjë që nuk është konfirmuar.

Mbështetja e tij e fundit për Trump dhe deklaratat kundër emigracionit të paligjshëm po shkaktojnë polemika, duke pasur parasysh se ai dukej se binte ndesh me ligjet e imigracionit në fillim të karrierës së tij. Në raportet e zbuluara nga Washington Post, Musk po bën thirrje për masa më të ashpra kundër emigrantëve pa dokumente.

Një rast i ngjashëm ishte me vëllain e tij, Kimball, i cili madje kishte pranuar se nuk kishte një leje pune ligjore kur kaloi kufirin me informacione të rreme për të marrë pjesë në një takim vendimtar të investitorëve Zip2. Kimball më vonë raportoi: Kur na financuan, ata zbuluan se ishim emigrantë të paligjshëm.

Firma e investimeve Mohr Davidow Ventures është gjithashtu në qendër të vëmendjes, e cila sipas dosjeve ka punësuar një avokat për të trajtuar lejet e punës së vëllezërve Musk, ndërsa investitorëve iu tha se çështja duhej të zgjidhej përpara ofertës së parë publike të kompanisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: