Ndërmarrësi miliarder, Elon Musk, ka hedhur idenë për hapjen e një tuneli të teknologjisë së lartë nën një pjesë të Los Anxhelosit, si provë e projektit të një rrjeti transporti nëntokësor të shpejtësisë së lartë që ai planifikon për këtë qytet të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përpjekjet e kompanisë Boring, që udhëhiqet nga Musk, për të marrë miratimin e bashkisë së qytetit për këtë tunel, kanë sjellë kundërshtimin e dy organizatave të zonës, të cilat e kanë çuar çështjen në gjykatë.

Një nga shqetësimet kryesore është veprimtaria sizmike në rajonin e Los Anxhelosit.
Musk, një investitor i teknologjisë së lartë në Silicon Valley, i njohur më shumë për kompaninë e tij të makinave elektrike Tesla, e ka garantuar publikun për sigurinë e tunelit, përcjell Telegrafi.

“Njerëzit nuk e kuptojnë se tërmetet janë kryesisht një dukuri sipërfaqësore, janë si valët në oqean, kështu që nëse je në tunel, është sikur të jesh në një nëndetëse në oqean. Mund të ketë një uragan në sipërfaqe, por brenda në nëndetëse është qetësi”, ka thënë ai, shkruan tg.

Kompania Boring thotë se tuneli do të shërbejë si një vend eksperimental për të demonstruar idetë për një sistem të lehtësimit të trafikut që Musk dëshiron të ndërtojë për qarkullimin me shpejtësi nën sipërfaqe të automjeteve individuale dhe grupeve të vogla të këmbësorëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: