Elon Musk, aleati miliarder i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, shprehu vlerësimin për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë. Komentet e tij vijnë para zgjedhjeve në vendin evropian në fillim të vitit të ardhshëm. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, partia gjermane AfD dëshiron t’i japë fund mbështetjes perëndimore për Ukrainën në luftën e saj kundër agresorit rus.
Sondazhet në Gjermani tregojnë se partia Alternativa për Gjermaninë radhitet në vend të dytë në prag të zgjedhjeve të 23 shkurtit. Kjo forcë politike dëshiron të dalë nga Bashkimi Evropian dhe t’i japë fund mbështetjes për Ukrainën.
Hetuesit federalë e kanë etiketuar atë si një organizatë të dyshuar të së djathtës ekstreme, ç’ka hidhet poshtë nga AfD-ja.
Të premten, miliarderi amerikan Elon Musk dhe aleat i Presidentit të zgjedhur Donald Trump, shkroi në rrjetin X se: “vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”. Udhëheqësja e AfD-së, Alice ëeidel, reagoi.
“I dashur Elon. Faleminderit shumë për komentin tuaj. Alternativa për Gjermaninë, AfD, është me të vërtetë alternativa e vetme për vendin tonë – alternativa jonë e fundit, nëse më pyet mua”.
Komentet e Musk vijnë disa ditë pasi ai u takua me ligjvënësin britanik, Nigel Farage, për të diskutuar mbështetjen financiare për partinë populiste të politikanit anglez.
Disa ligjvënës gjermanë e kritikuan shprehjen e mbështetjes së miliarderit amerikan për AfD-në. Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha të premten se shprehja e opinioneve është pjesë e demokracisë.
“Liria e fjalës vlen edhe për multi-miliarderët. Liria e fjalës të mundëson gjithashtu që të thuash gjëra që nuk janë të drejta dhe që nuk përmbajnë këshilla të mira politike”, tha Scholz.
Partitë kryesore gjermane e kanë përjashtuar mundësinë e koalicionit me AfD-në. Por partia e ekstremit të djathtë e ka ndryshuar debatin për Ukrainën, thotë analist Mattia Nelles.
“Në kuptimin që partitë kryesore janë më pak të gatshme ose në gjendje që të flasin në favor të më shumë ndihmave për Ukrainën, duke qenë se AfD po bën fushatë kundër”.
Gjermania i ka dhënë Ukrainës armatime që kapin vlerën e rreth 11 miliardë dollarëve që nga fillimi i agresionit rus në vitin 2022. Trysnia ekonomike ka bërë që shpenzimet qeveritare të jenë një pikë e rëndësishme e fushatave elektorale.
Partia Social Demokrate e Kancelarit Scholz kërkon të rrisë tavanin e borxheve qeveritare, pjesërisht për të financuar ndihmat për Ukrainën.
Kristian Demokratët nën udhëheqjen e zotit Friedrich Merz, të cilët kryesojnë anketat, janë kundër huamarrjes së qeverisë.
“Nuk do ta përqendroj politikën ekonomike të vendit tonë tek borxhi i ri, taksat e larta dhe më shumë rishpërndarje”.
Në Evropë ekziston frika se Presidenti i zgjedhur Trump do t’i japë fund mbështetjes amerikane për Kievin.
“Duke patur parasysh rikthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, do të duhet një udhëheqje dhe financa më të fuqishme nga Gjermania. Pa marrë borxhe, druhem se kjo nuk do të jetë e mundur”.
Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët e NATO-s të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. Ndërsa buxheti i qeverisë ndodhet nën trysni, analistët thonë se udhëheqësi i ardhshëm i Gjermanisë do të përballet me sfida të vështira si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Çfarë tha Elon Musk
Miliarderi Elon Musk, që pritet t’i bashkohet administratës së Presidentit të zgjedhur Donald Trump si këshilltar i jashtëm, u përfshi në fushatën zgjedhore të Gjermanisë të premten, duke e quajtur partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, shpëtimtaren e vendit.
AfD është në vendin e dytë në sondazhe, duke u bërë pengesë për partitë e qendrës së djathtë, ose të qendrës së majtë, që të fitojnë shumicën në zgjedhje, por partitë kryesore të Gjermanisë, shumica të qendrës, janë zotuar të mos e pranojnë mbështetjen e AfD-së në nivel kombëtar.
Vendi më i fuqishëm i Evropës pritet të votojë më 23 shkurt pas rrëzimit të qeverisë së koalicionit të qendrës së majtë të udhëhequr nga kancelari Olaf Scholz.
“Vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë”, shkroi Musk në platformën e tij të mediave sociale X.
Elon Musk, personi më i pasur në botë, ka shprehur edhe më parë mbështetjen për partitë e tjera kundër emigracionit në të gjithë Evropën.
Qeveria gjermane tha se e ka parë atë që shkroi Musk, por nuk pranoi të bënte ndonjë koment të mëtejshëm në konferencën e rregullt të shtypit.
Musk ripublikoi edhe një mesazh nga aktivistja gjermane e krahut të djathtë Naomi Seibt që kritikonte Friedrich Merzin, kandidatin për kancelar të konservatorëve, të cilët kryesojnë në sondazhe.
Matthias Miersch, sekretari i përgjithshëm i socialdemokratëve të Kancelarit Scholz, tha për faqen e internetit ‘t-online’ se Gjermania nuk kishte nevojë për ndikime të huaja apo “Trumpizëm”.
Musk shprehu mbështetje për AfD-në vitin e kaluar, kur kritikoi mënyrën se si qeveria gjermane e trajtoi emigracionin e paligjshëm.
Muajin e kaluar, Musk bëri thirrje për shkarkimin e gjyqtarëve italianë të cilët vunë në dyshim ligjshmërinë e masave të qeverisë për të parandaluar imigracionin e parregullt.
Gjatë kësaj jave Nigel Farage, udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë të Britanisë së Madhe, ‘Reforma në Mbretërinë e Bashkuar’ dhe mik i Presidentit të zgjedhur Trump, publikoi një fotografi duke takuar Musk në rezidencën e Trump në Florida. Ai u takua me Musk për të siguruar mbështetje financiare.
(BalkanWeb)