“Shpresoj që të kalojmë në një pozicion me tarifa zero në të ardhmen, me një zonë të tregtisë së lirë midis Europës dhe Amerikës së Veriut, kjo është shpresa ime për të ardhmen”. Kështu u shpreh Elon Musk, duke folur online nga Uashingtoni në Kongresin e Lidhjes që po zhvillohet në Firence.

Musk gjithashtu shpresonte për “liri më të madhe lëvizje midis Evropës dhe Amerikës së Veriut”. “Ata që duan të punojnë në Amerikën e Veriut, ata që duan të punojnë në Evropë, duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë, sipas mendimit tim. Pra, kjo ishte këshilla që i dhashë Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump”, theksoi Musk.

Sipas tij, emigracioni masiv do të pushojë së ekzistuari, sepse në të kundërt, shton ai, çdo vend që e lejon do të vetëshkatërrohej.

“Është një situatë shumë e vështirë. Ka 8 miliardë njerëz në botë dhe nëse jemi një vend me 50 apo 60 milionë banorë, por edhe për një vend kaq të madh sa SHBA-ja, nëse ka një përqindje të vogël të pjesës tjetër të botës që lëviz drejt saj, e shndërron atë në një vend tjetër. Vendi nuk është gjeografia e tij, por njerëzit që jetojnë aty: ky është një koncept themelor, i cili duhet të jetë i dukshëm. Një vend bëhet nga njerëzit, jo nga pozicioni gjeografik në të cilin ndodhet”, tha ai.

Situata në Ukrainë
Elon Musk foli edhe për situatën në Ukrainë, prej 3 vitesh në luftë me Rusinë.

“Unë nuk kam respekt për ata që inkurajojnë luftën, për ata që duan që ajo të vazhdojë përgjithmonë, për mendimin tim kjo është diçka e keqe. Nëse flet me të majtët ata thonë “ne nuk mund t’i dorëzohemi Rusisë”, por nuk keni plan për të ardhmen. Pra, ne po i dërgojmë këta njerëz në vdekjen e tyre çdo ditë pa asnjë plan. Përgjithmonë. Dhe kjo është mizore, çnjerëzore dhe nuk ka absolutisht asnjë kuptim”, tha manjati i Tesla.

Musk mbwshtet presidentin Trump dhe pwpjekjet e tij pwr tw arritur paqen mes Ukrainws dhe Rusisw.

“Presidenti Trump ka të drejtë. Ne duhet të arrijmë paqen dhe ka ardhur koha që masakra e gjithë këtyre të rinjve dhe të moshuarve të ndalet, të ndalet. Ka ardhur koha të ndalet, sepse kjo makinë lufte dhe vdekjeje duhet të ndalet”, shtoi ai.

Për Musk, ka njerëz që përpiqen të japin përshtypjen se kanë ndjeshmëri, por në realitet nuk janë aspak empatikë: ata që janë në favor të luftës duken empatikë, por në realitet është hipokrizi sepse empatia është diçka tjetër, ne duhet të kujdesemi për njerëzit që po vdesin në llogore në Ukrainë dhe Rusi dhe ata nuk duan të jenë atje në Rusi, ata janë të detyruar të vrasin gjithashtu në Rusi”.

Më pas, themeluesi dhe administratori i përgjithshëm i X dhe SpaceX tha se sheh “një rritje të jashtëzakonshme të numrit të sulmeve në Itali dhe në Europë, dhe mediat përpiqen të minimizojnë rëndësinë e këtyre sulmeve, por vrasjet e njerëzve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe në fund, në Europë do të shohim vrasje masive, masakra të mirëfillta.”

Një prirje që, sipas tij, “do të çojë në një masakër të vërtetë në Europë. Miqtë tuaj, familjet tuaja, fëmijët tuaj – të gjithë do të jenë në rrezik, shifrat flasin vetë”, vijoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb