Nga: GERILINA KODHELI*

TIRANE – U bënë disa javë tashmë që Elton Deda është një emër tejet i lakuar në shtyp, e veçanërisht në qarqet e artistëve shqiptarë. Kantautori i njohur është në krye të një nga eventeve më të rëndësishme të muzikës rock, për të mos thënë të eventit të vetëm serioz që mbledh të gjithë grupet e këtij zhanri në një skenë të madhe. E ndërsa Festivali “Rockstook” tashmë po krijon traditë, Eltoni rrëfen në një intervistë për “Bluetooth” se ndryshe nga vitet e mëparshme, në skenën e ngritur në sheshin “Nënë Tereza” do të performojnë edhe tre grupe nga rajoni, një nga Serbia, një nga Kroacia dhe një tjetër nga Ukraina. “Synojmë që të bëjmë një festival internacional”, tregon Eltoni, i cili pranon me keqardhje se për të arritur këtë synim i mungojnë instrumentet, por është optimist se duke kaluar disa etapa do t’ia arrijë. Sidoqoftë, titujt më të komentuar dhe me më shumë interes që lakonin emrin e Elton Dedës ishte fakti se këtë vit kompozitori i famshëm do të jetë në krye të Festivalit të Fundvitit në RTSH. Megjithëse me rezerva, Elton Deda na rrëfen diçka mbi vizionin e tij për këtë event shumë të rëndësishëm, teksa thotë se, “Unë si Elton nuk kam shkruar kurrë muzikë për çmime, nuk kam shkruar kurrë muzikë në festival për në Eurovizion. Edhe në Festivalin e 50-të që mora pjesë me këngën “Kristal” nuk e bëra me synim që të shkoja në Eurovizion. Edhe pse nuk shkova as u mërzita dhe as e prita keq. Kam shkruar një këngë për qejfin tim dhe mora pjesë në festival. Nëse muzikantët shkruajnë këngë për shpirtin e tyre, kjo është ajo që dua unë”…
Nga viti në vit interesi është më i madh për festivalin e muzikës Rock. Si është pjesëmarrja e artistëve dhe cilët janë të ftuarit më të veçantë?
Do të jenë Elita 5, Jericho, Gipsy Groove, Offchestra, Asgjë Sikur Dielli, Aleksandër Gjoka, Redon Makashi dhe unë do të jemi, Altin Goci, Renis Gjoka, Kamela Islamaj, Rockstook Dance, që janë artistë të ndryshëm e do performojnë edhe ata, e shumë artistë të tjerë. Janë rreth 17, apo 18 grupe që do të performojnë në këtë festival.
Këngëtarët e muzikës rock ankohen shpesh se këtij zhanri nuk i kushtohet rëndësia e duhur. Ti si mendon, cili është interesi që shfaq audienca?
Unë mendoj se më mirë se kaq nuk bëhet. Të mbledhësh 18 grupe dhe çdo natë t’u japësh nga një aromë të ndryshme është ajo që ka një festival. Që të jetë më shumë e qartë, qëllimi i këtij festivali është që të bëhet internacional. Për këtë arsye, këtë vit kemi ftuar tre grupe, një serb, një kroat dhe një ukrainas, në mënyrë që në fillim festivali të bëhet rajonal. Me buxhetet që kemi ne nuk arrijmë që të bëjmë që në fillim një festival internacional, ndaj na duhet të kalojmë disa hapa.
Flet për një buxhet të siguruar privatisht, apo ju kanë ndihmuar institucionet shqiptare të kulturës?
Sponsor i rëndësishëm është Bashkia e Tiranës, por sigurisht që ky buxhet është shumë larg për të bërë një festival të përmasave të mëdha. Ne po e bëjmë më tepër për ideal, që mos ta lemë këtë, që edhe Tirana të ketë një festival të bukur ku performojnë artistë të mirë. Është e lehtë të heqësh dorë, por këto lloj organizimesh, pavarësisht zhanrit të muzikës që i dedikohen kanë nevojë për mbështetje, në rast se duam një koncert të mirë. Është e vërtetë që janë dy djem, Erion Zaloshnja dhe Elton Deda me ideale, por edhe idealet vjen një moment që mbarojnë, që shterojnë në rast se nuk gjejnë mbështetje. Fatmirësisht këtë vit na ka ndihmuar Bashkia e Tiranës dhe disa kompani private dhe Ministria e Kulturës gjithashtu ka dhënë një buxhet modest.
Grupet janë të njohura për të gjithë adhuruesit e rock-ut dhe shumë prej tyre janë emra të mëdhenj. Do të kemi premiera këngësh gjatë festivalit?
Asgjë Sikur Dielli kanë albumin e tyre “Desident” nga i cili do të këndojnë disa këngë, që mund ta quajmë edhe premierë, meqë nuk i kanë performuar live në një aktivitet të madh në Tiranë. Unë së bashku me Aleksandër Gjokën dhe Redon Makashin, “Tre Musketierët” do të performojmë “Remember Rock& Roll” që është gjithashtu një këngë e re. Kemi tre grupe të reja, muzika e të cilëve nuk u është prezantuar ndonjëherë shqiptarëve dhe do ta dëgjojnë për herë të parë aty. Ajo që është më e rëndësishme në këtë festival është fakti se thuajse nuk ka këngë cover dhe artistët prezantohen me krijimet e tyre. Ky ka qenë qëllimi ynë që në fillim, të kishim sa më shumë krijimtari origjinale.
Një grup serb në një skenë shqiptare. Është kjo një tentativë për të qetësuar ujërat mes dy popujve, apo për të dhënë mesazhin që arti nuk njeh kufij politik?
Jo, jo, absolutisht! Nuk është asnjë lloj tentative. Unë nuk merrem me politikë dhe nuk i shoh gjërat në këtë mënyrë. Ata ishin një grup që luanin muzikë rock, kishin dëshirë të merrnin pjesë në një festival. I dëgjova dhe bënin muzikë shumë të këndshme. Edhe shqiptarët këndojnë në Serbi dhe nuk mendoj se ka ndonjë problem.
Elton, Festivali “RockStook” është impenjimi juaj i fundit, ndërkohë që në fund të vitit ju pret edhe një impenjim më i madh, Festivali i Radio Televizionit Shqiptar. Jeni tashmë në rolin drejtues të këtij festivali. Synoni ta rimëkëmbni?
E para e punës festivali nuk është nëpërkëmbur që unë ta rimëkëmb. Edhe ata që e kanë bërë festivalin e kanë bërë mirë. Mos të flasim për rimëkëmbje.
Mendon së këtë edicion do tejkalohet mentaliteti që është krijuar mes artistëve se në Festivalin e Fundvitit shkohet vetëm për skenën e Eurovizion-it, por të vijnë për këtë festival dhe me synimin për tu prezantuar denjësisht në eventin më të rëndësishëm?
Kjo është diçka që nuk është e nevojshme t’ua them unë artistëve. Unë si Elton nuk kam shkruar kurrë muzikë për çmime, nuk kam shkruar kurrë muzikë në festival për në Eurovizion. Edhe në Festivalin e 50-të që mora pjesë me këngën “Kristal” nuk e bëra me synim që të shkoja në Eurovizion. Edhe pse nuk shkova as u mërzita dhe as e prita keq. Kam shkruar një këngë për qejfin tim dhe mora pjesë në festival. Nëse muzikantët shkruajnë këngë për shpirtin e tyre, kjo është ajo që dua unë.
Elton, prej pak kohësh keni deklaruar publikisht lidhjen tuaj me Adela Prendin. Planifikoni martesë së afërmi?
Nuk kemi në plan të flasim për gjëra të tilla për momentin. Më vonë do t’ju informoj.

(er.nu/Bluetooth/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: