Elvisi dhe Sidriti kanë takuar Diloren dhe familjen e saj. Elvis Naçi është prekur nga forca e kësaj gruaje që rrit e vetme në kushte shumë të vështira tre fëmijët e saj. Elvisi i kërkon Dilores ta shoqërojë për të parë shtëpinë e re. Është një befasi. Dilorja sapo hap derën shikon një ambient tejet të bukur dhe komod për të jetuar.

“Ua çfarë surprize, më duket e pabesueshme. Nuk e kam pritur kurrë këtë. Mu ngroh shpirti, prisja që banesa të ishte e suvatuar. Kjo shtëpi ishte e rrënuar, çatia ishte duke rënë, edhe korrentin e kisha nëpër këmbë, kam qenë në rrezik, qaja çdo ditë për fëmijët” thotë ajo e emocionuar duke pare shtëpinë e saj.

Dilorja e ka të vështirë të kujtojë atë moment dramatik kur burri u vra para syve të saj kur ajo ishte me barkun në buzë. Kujton se pas ngjarjes, disa njerëz erdhën për besën. Nga frika e gjakmarrjes, ajo mori një vendim “Unë u thashë, më mirë ta fal se kam një djalë, pajtimin e kemi bërë pas tre vjetësh. Nuk dua të të jetoj me frikë, me mire jetoj sikur s’ka ndodh gjë. Ne e kemi fal gjakun” shprehet ajo me një grimcë krenarie në sytë e saj. Ndihet e çliruar. E ka falur gjakun për hir të djalit të vetëm që e ka dritën e syve. Elvis Naçi i thotë Dilores arsyen përse vendoi që ta ndihmonte atë dhe fëmijët e saj jetimë. “Ne jemi të prekur nga kjo histori, lum ai qe fal gjakun, shqiptari nuk e vret shqiptarin, kush fal gjak shqiptari ne e nderojmë, ke bere një vepër te madhe”, -i thotë Elvisi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb