Nga JETON SELIMI
Nuk e di pse mu qesh aq shumë kur pashë një tryezë të FSHF-së, ku trajtohej emancipimi i tifozëve në stadiume. Por nuk ishte një e qeshur çliruese, por një e qeshur e hidhur, e lindur nga groteskja e një tavoline të krijuar për të trajtuar problemin mbase më periferik të mundshëm të një mali të madh me çështje skandaloze, që FSHF as nuk i ka cekur me dorë, madje shpesh ka bërë veshin shurdh e syrin qorr.

Të merresh me emancipimin e tifozëve në stadium për një federatë si kjo e jona, për një garë si kjo jona, për një realitet si ky yni është njësoj sikur të shohësh një shtëpi pa mure e të kërkosh të vësh dritaret! Jo se federata jonë nuk ka mure, i ka, por herë i bën prej qerpiçi, herë prej tulle e herë nuk i vë fare, në varësi të situatës!

Është e drejtë, shumë e drejtë të kërkosh nga tifozët të mos përdorin gjuhë banale në stadiume, të shmangin të sharat. Por që të kërkosh këtë gjë, këtyre tifozëve “të pagdhendur” duhet t’u japësh atë që kërkojnë prej vitesh, sepse fatkeqësisht pjesën më të madhe të ofendimeve e sjell një gjyqtar i paaftë apo një garë e padrejtë. Sepse tifozët shqiptarë nuk janë budallenj.

Ata duan një garë të vërtetë! Një garë të ndershme, një kampionat ku nuk fiton i përkëdheluri i federatës, ku gjyqtarët nuk ndikojnë ndeshjet, ku presidentët nuk trukojnë, ku lojtarët paguhen rregullisht, ku të rinjtë kanë fusha e kushte për t’u stërvitur dhe nuk zhvishen në natyrë, ku gjobat nga FIFA në adresë të klubeve të mos jenë të përmuajshme për shkak të moskorrektesës së tyre. Kampionati ynë ka aq shumë halle, sa t’u kërkosh tifozëve të emancipohen, edhe pse e drejtë, duket kaq false dhe e pavend!

E keqja në stadium nuk vjen nga ata tifozë që ende vazhdojnë ta ndjekin garën dhe këtë e bëjnë për dashurinë ndaj klubeve të tyre. E keqja vjen nga mungesa totale e besimit. Kjo është arsyeja pse janë shkallët bosh, kjo është arsyeja se pjesa më e madhe e atyre që dikur mbanin radhë me orë për një biletë, tani nuk denjojnë as t’i afrohen stadiumit.

E keqja vjen nga mungesa e transparencës. Kur federata mashtron me “Fondin e Solidaritetit”, kur hesht përballë skandalit të trukimeve, kur bën qorrin pas gjykimeve skandaloze, kur kërkon të kamuflojë me suksesin historik të Kombëtares gjithë katrahurën, që kurrë nuk po shërohet, por vetëm sa kamuflohet me logo më të bukura të reklamave që kërkojnë të pasqyrojnë një realitet krejt tjetër. Kur kërkojnë të shesin për të vërtetë një falsitet, të cilin fatkeqësisht e kemi pranuar të gjithë!

Femrat do vijnë në stadium, i dashur president. Do vijnë kur të vijnë të vijnë të gjithë bashkë, sepse tifozët tanë nuk përmblidhen me mesataren skandaloze prej 800 tifozësh për ndeshje në stadium! Dhe normalisht që në një mesatare të tillë, do të ketë pak femra. Në një zbrazëti të tillë stadiumesh, e shara më banale del në sipërfaqe, kur duhet të mbytet nga kori i një turme entuziaste prej mijëra tifozësh, që po shijon një ndeshje futbolli!

Sapo FSHF do t’i kthejë besimin garës dhe tifozët do mbushin stadiumet, atëherë do të vijnë dhe femrat, sepse dhe ato duan futboll të bukur e jo të shitur e të nëpërkëmbur. Beh njëherë këtë shef Mandi, na kthe të gjithëve futbollin që duam sepse këtë detyrë ka FSHF, të garantojë cilësinë dhe besimin e garës. Fatkeqësisht, sot po flasim për emancipimin e tifozëve, kur duhet të vëmë kujën për realitetin e futbollit shqiptar dhe degradimin, qoftë edhe në fjalor, që pjell ky degradim!

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: