Në korridoret e diplomacisë europiane qarkullon rëndom thënia e Jean Monnet, njërit prej baballarëve themelues të Europës së Bashkuar, të cilit i njihet fraza:

“Nëse do ta nisja nga e para idenë e Bashkimit Europian, do ta nisja nga Kultura”

Europa në fakt e nisi nga çeliku, qymyri, nga pasuritë, për të vazhduar me tregjet e kapitalet, e për ta vulosur bashkimin me monedhën e përbashkët.

Njëlloj si një çift që lidhet në martesë nga interesat ekonomike dhe gjëja e parë që bën është llogaria e përbashkët bankare. Po miqësitë dhe dashuritë nuk nisin nga kuleta e përbashkët, por nga idetë, emocionet, kujtimet, nga komunikimi mirëkuptues e respektues.

E tani vonë e ka thënë shumë saktë këtë Presidenti i Gjermanisë, Steinmeir, duke iu referuar rolit të njerëzve të kulturës në punët e Europës:

“Jam i sigurt se ata që dinë më shumë për letërsinë, muzikën, filmat, trashëgiminë kulturore të Europës, dinë të kuptojnë edhe më mirë ëndrrat dhe traumat e partnerëve tanë, e miqve tanë. Janë pikërisht këta që dinë të kuptojnë më mirë anët e errta të kontinentit tonë dhe janë këta që sëbashku mund ta lëvizin kah Dritës.”

Pra, një bashkëjetesë e mirë dhe afatgjatë nis nga bashkëndarja e Kulturës.

“Creative Europe” ose “Europa Krijuese” na tingëllonte thjesht si aleancë e bukur fjalësh, 6 vjet më parë, kur filluan të qarkullonin emaile dhe shkresa që i njoftonin Shqipërisë mundësinë për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti, – e programit më të madh kulturor të Bashkimit Europian.

Që të jem e sinqertë, nuk e shihnim shumë qartë se si dhe sa do të kishte mundësinë të përfitonte skena artistike dhe filmike shqiptare nga ky rrjetëzim i fuqishëm, ku për të fituar nuk mjafton vetëm dëshira për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Europa”, por duhet dhe dija, dhe aftësia për të përkthyer dëshirat dhe idetë në projekte dinjitoze dhe të gatshme për të garuar.

Ishte një ogur shumë i mirë, që në qershor 2014, Presidenti i Komisionit Europian Emmanuel Barroso, përuroi me Shqipërinë statusin e vendit kandidat për në BE, duke zgjedhur “Marrëveshjen me Shqipërinë për Europën Krijuese”, – si kurorëzim të këtij statusi.

Integrimi, rruga drejt Europës është proces i gjatë, ekonomik, politik, juridik, teknik, ama,- oh sa shumë! – është edhe një proces kulturor, i cili nëse nuk vlerësohet, është humbje më shumë për Shqipërinë që do të integrohet në Europë.

Bashkimi Europian e di mirë këtë. Për këtë lindi dhe projekti i Europës Krijuese me 1.46 miliardë EURO, në dispozicion të organizatave, shoqatave dhe subjekteve artistike, jo vetëm për vendet anëtare të BE por edhe për vende jo anëtare që plotësonin kriteret.

Ishte kjo mazhorancë që pa më të voglin hezitim ndërmori të gjitha procedurat dhe përgatiti buxhetimin për të paguar çdo vit, të gjitha detyrimet me qëllim që Shqipëria të bëhej pjesë e këtij programi për t’i dhënë kështu mundësi aktorëve kulturorë shqiptarë jo thjesht të përfitonin burime të reja financiare, por sidomos të integroheshin në rrjete europiane kulturore, të komunikonin në mënyrë të organizuar, me të njëjtat standarde, dhe jo me kuota nacionale por vetëm me cilësi projektesh duke konkurruar me të drejta të barabarta me kolegët e vendeve të tjera evropiane; duke u bërë kështu falë artistëve dhe shqiptarëve të kulturës pjesë e Bashkimit Europian, pse jo! para se sa ta arrijmë këtë politikisht dhe ekonomikisht.

Vetëm me këtë program të Europës Krijuese janë mbështetur shtëpi kinematografike,

shtëpi botuese, lexues, libra, autorë, përkthyes, kineastë; me mbi 2 milionë euro,

që do të thotë më shumë letërsi e mirë në shqip, më shumë qarkullim vlerash artistike,

më shumë mbështetje për aktorët kulturorë dhe sidomos për të rritur e edukuar publikun.

Gjatë këtyre viteve sa herë flitet për integrim përmes Kulturës, jam ndeshur jo rrallë me buzëqeshje ironike… të tipit “U bëtë ju…” – Ju, të Kulturës medemek.

Është e njëjta nënqeshje që ka shoqëruar përgjithësisht e ngaherë investimet në Kulturë, programet në Kulturë, duke e konsideruar Kulturën vetëm si dekoratë nacionaliste, për t’i rënë gjoksit sa herë duan t’u prishin mendjen emocionalisht zgjedhësve.

Por kur vjen puna për t’i dhënë prioritet projekteve dhe investimeve në Kulturë, në trashëgimi kulturore, në art e edukim kulturor, shumë faktorë i kanë konsideruar këto të tepërta, luks të panevojshëm.

Të këtë qenë kjo arsyeja pse që nga vitet 80 Shqipëria nuk njohu më investime në institucionet kulturore?! Po të kemi parasysh se i fundit investim kulturor ishte ndërtimi i Muzeut historik Kombëtar në vitin 1981, që edhe ky, – për nga përmbajtja dhe nga mënyra se si e rrëfen historinë – duket sikur është muze i muzeut dhe aspak muze i qytetërimit dhe i historive të këtij vendi, ashtu siç ne të gjithë do të donim t’ua tregonim fëmijëve tanë dhe mysafirëve.

E imagjinoni dot se çfarë grope shpirtërore, intelektuale, gropë emancipimi dhe edukimi, është për një vend ku për 38 vjet nuk është bërë asnjë investim i rëndësishëm thelbësor kulturor,

– nuk llogaris këtu qendrën kulturore të Bashkisë Kamëz ku, ndonëse u shpenzuan 3 milionë euro, nuk lejohen as pensionistët të luajnë domino e le më të rinjtë e një qyteti të cilit nuk i mungojnë energjitë kulturore, por të cilët duhet të mblidhen nëpër bodrume për një promovim libri apo një shfaqje të thjeshtë.

– nuk mund të quaj investim në kulturë as 3 milionë eurot e tjera që u groposën si të ishin fara luledielli, brenda Piramidës me pretendimin se do të bëhej aty një teatër që kurrë s’u bitis si teatër, por veç e telendisi më keq Piramidën.

Çfare i ndodh këtij vendiy ku për gati 3 dekada, s’ka pasur vëmendje të vërtetë për atë çka është më jetëgjatë në Shqipëri: për Kulturën!

Dhe pastaj tronditemi kur ka delinkuencë, sëkëlldisemi kur keqtrajtohet mjedisi, tmerrohemi kur ka krim brenda familjes, trembemi kur ka dhunë, na dhemb zemra kur therren gratë si delet, dhe… mbyllim veshët kur përdhoset edhe foltorja e Kuvendit nga përdhunimi që i bëhet FJALËS dhe DEMOKRACISË.

Natyrisht që rënia e diktaturës solli bashkë me lirinë e mendimit e mundësitë për demokraci, edhe boshllëkun e një modeli të edukimit kulturor. Për fat të keq asnjë nga qeverisjet nuk e vuri dot në axhendën politike dhe as në programet investuese prioritetin e Kulturës.

Unë besoj se ta konisderosh Kulturën prioritet më shumë se sa meritë politike është provë emancipimi e shoqërisë. Nëse u krijua një Ministri Kulture e dedikuar për Kulturën dhe Edukimin Kulturor në vitin 2013, kjo ende nuk është provë se shoqëria shqiptare është e emancipuar, por është padyshim dëshmi se më në fund emancipimin e shoqërisë po e marrim seriozisht.

Ngaqë e kemi seriozisht, dhe ngaqë e besojmë se në Europë nuk shkohet vetëm me letra e me kredenciale juridike dhe ekonomike, por edhe me mendje të kultivuara dhe me kualitete njerëzore, vendosëm në program dhe në 5 vite ngritëm 5 muze të rinj, por edhe hapëm 5 kantiere të reja teatrore qe nga Shkodra, Korca, Tirana e deri në Fier, pa folur për programet e Rilindjes Urbane dhe Rurale në sitet e trashëgimisë.

Na akuzojnë për fasada.

Po 10 000 m2 restaurime në Qafën e Pazarit në Gjirokastër, dhe gjithë restaurimet e Rrugëve të Besimit e të Kujtesës që kanë 10 fishuar numrin e turistëve në Gjirokastër, Përmet e Tepelenë, duke prodhuar ekonomi, turizëm e agroturizëm, duke rigjallëruar biznesin vendas, fasadë janë?!

Fasadë është që Gjirokastra nga 3 hotele e gjysëm në 2013 numëron sot në mëngjes 87 oferta akomodimi në Booking.com?!

Janë të gjitha dritare të vërteta shqiptare, për të folur gjuhën e përbashkët me kontinentin të cilit i përkasim historikisht dhe në organizimin më të madh të të cilit duam të integrohemi si shtet demokratik dhe i emancipuar.

Dhe kjo gjuhë është gjuha e Kulturës, që Europa e Bashkuar e ka sot në vëmendje si një armë të fortë për të luftuar kundër ekstremizmave që po gërryen kontinentin.

“Ajo që na bën europianë, tha para pak kohësh Emmanuel Macron, dhe që na bashkon para së gjithash është Kultura! Dhe me qëllim që të ringjallim sërish besimin mes nesh, nga Kultura duhet ta fillojmë!”

Por të nderuar kolegë, i kulturar nuk lind, por bëhesh, pra edukohesh!

Nuk është e lehtë ta realizosh në një madat e as dy, se mungesat janë ende të konsiderueshme dhe financat më të vogla nga sa janë nevojat e akumuluara në mbi 30 vjet.

Është shumë e vështirë edhe se është luftë me mendësitë. Ca se mendësitë i kemi trashëguar, ca se i mbajmë si istikame sulmi partiake apo edhe klanore po të doni.

Kjo është një luftë e gjatë, është luftë për të bukurën, luftë për emancipim, luftë për mirëqënie që ende s’e kemi fituar, ndonëse ia kemi dalë me jo pak beteja.

Na është dashur dhe do të duhen akoma vite për të bindur secilin nga deputetët, secilin nga ministrat, secilin nga vendimarrësit, secilin nga opinionbërësit, secilin nga investitorët, se financimet dhe programet në Kulturë në këtë vend janë domosdoshmëri, sepse Kultura dhe Edukimi në këtë vend janë çështje emergjence kombëtare.

QASJA NË KULTURË NUK DUHET TË JETË NJË SHANS PËR DISA POR NJË E DREJTË REALE PËR TË GJITHË!

Hapja e negociatave është objektivi ynë i këtij viti.

Por për sa kemi frymë, lufta për Kulturë dhe Emancipim duhet të jetë objektivi i jetëve tona.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb