EMISIONI VETTING
EMERIMET ME SHKELJE
Emërimi i Oltion Cakut në krye të drejtorisë së VIPA-ve është vetëm maja e ajsbergut, sepse në listën e personave të ngritur në detyrë pa garë gjenden Elidjana Celaj, Emilio Manoku, Altin Demiri, Sokol Muharremi, Vasilika Xhamo, Ram Papa dhe Sokol Çela. Këta punonjës Tatimorë gëzojnë statusin e Nëpunësit Civil, por Ceno Klosi i ka lëvizur në pozicione drejtuese në kundërshtim me ligjin e “Nëpunësit Civil”.
“Ligji e përcakton edhe këtë, që edhe në qoftë se je drejtues përsëri i nivelit të lartë, mund të bëhet një lëvizje paralele. Mund të mos ngrihesh në nivel më të lartë, të jesh po në të njëjtin nivel, në departament tjetër, dhe në këtë rast kërkohet konkurs kombëtar. Pra, ti duhet ti nënshtrohesh një konkursi, hapet vendi i punës, i nënshtrohesh konkursit, n.q.s e fiton, do shkosh në pozicionin e punës.”- thekson avokatja Kola.
Madje ngritjet në detyrë të këtyre personave në shkelje të ligjit vendosin në pikëpyetje vendimet që këta të fundit nxjerrin, sepse mbasi kalojnë 6 muaj nuk kanë tagrin për të realizuar dhe firmosur shkresa të tilla.
“Thelbi i kësaj është çfarë ndodh me vendimet që këta marrin? Sepse bëhet fjalë për ca titullarë të nivelit të lartë, të nëpunësit civil, pra, që do të thotë që kanë fuqi vendimmarrëse dhe vendimmarrja e tyre prodhon vendimmarrje tek personat ose për çështjet mbi të cilët këta marrin vendime. Nëse këtij i ka mbaruar afati i këtij emërimi, e para çdo vendimmarrje e tij është e pavlefshme, që do të thotë që nëse ti shkon dhe vendimmarrjen e tij e godet në gjykatë atëherë mundet të kërkosh shfuqizimin dhe pavlefshmërinë e aktit administrative, që ai ka nxjerrë e të tjera.
Pikërisht se ai nuk e ka pasur tagrin ta nxjerr, pra e nxjerrë mbi bazën e kësaj, pra, nuk ka pasur tagrin për ta marrë këtë vendimmarrje. Këtu jemi në rastin që nuk ka pasur tagrin e vendimmarrjes. Po gjithashtu edhe nëse emërimi i tij është bërë në kundërshtim me ligjin dhe çfarë do bëhet me vendimet e tij atëherë në këtë rast do të kërkohet pavlefshmëria e emërimit të personit në detyrë, pra, personi është emëruar në kundërshtim me ligjin. Pra, duhet konstatuar kjo pavlefshmëri dhe si rrjedhojë të kërkohet edhe pavlefshmëria e vendimmarrjes së tij. Ky është i vetmi ndryshim, por në të dyja rastet mendoj se vendimet janë të pavlefshme.”– tha për “Vetting” avokatja Margarita Kola.
Është e qartë, që Drejtori i Përgjithshëm Klosi ka tejkaluar kompetencat e veta, duke shumëfishuar numrin e shkeljeve ligjore dhe duke kontrolluar Administratën Tatimore përtej ligjit.
Sipas nenit 109, pika a dhe ç, të ligji të Kodit të Procedurave Administrative, Ceno Klosi nuk mund të realizojë lëvizje të tilla, pasi në këtë rast janë jashtë kompetencave të tij si Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
Shkeljet e Drejtorit të Tatimeve për lëvizjet e inspektorëve të tatimeve, nga VIPAT te Drejtoria Rajonale Tiranë, por edhe ngritjet në detyrë konfirmohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
RAPORTI I KLSH
“Nga auditimi i dokumentacionit u konstatua se janë kryer 31 emërime në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe 26 emërime në Drejtorinë Rajonale të Tatimeve, me procedurën e përcaktuar në nenin 15 “Pranimi në punë pa konkurrim”, të kësaj rregulloreje.”
Pra, vet KLSH-ja konfirmon atë që ka ardhur në zyrat e “Vetting”, ku zbulohet se lëvizjet e emërimeve janë realizuar në shkelje të Kodit të Punës.
“Gjatë vitit 2022, nuk është kryer asnjë emërim i punonjësve me kod pune, sipas përcaktimeve të nenit 9 “Procedura e përzgjedhjes së kandidatëve”, pika nr. 1, ku citohet se: “Përzgjedhja e kandidatëve për punësim në ATQ kryhet si rregull nëpërmjet konkurrimit të hapur, bazuar në plotësimin e kërkesave nga kandidatët për punësim”, veprime në kundërshtim me ligjin nr. 7961, datë 12.07.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 9, pika nr. 5 dhe 6/a”
Por Ceno Klosi nuk është i vetmi drejtues në konflikt interesi.
“Vetting” ka zbuluar se njëri nga Inspektorët e Tatimeve VIP, Luftar Murrizi, është në konflikt të mundshëm interesi me detyrën, sepse rezulton aksioner në kompaninë “GRAND UNION”, ndërkohë që ka qenë Inspektor te Drejtoria e Tatimeve Vip dhe te Drejtoria Rajonale Tatimore.
Sipas nenit 26, të ligjit “Për Procedurat Tatimore”, “Nëpunësit e administratës tatimore nuk mund të kontrollojnë apo vlerësojnë tatimet e veta apo të personave të lidhur me ta, me përjashtim të rasteve të vetëvlerësimit.”
Por janë audituesit e KLSH-së që shkojnë më tej duke zbuluar se disa nga Inspektorët te Drejtoria Rajonale Tiranë nuk kanë dorëzuar akoma vërtetim gjykate, kopje të diplomës dhe listës së notave të noterizuar, CV, kopje të kartës së identitetit, raport mjeko-ligjor, librezë pune, si dhe autorizim për parandalimin e konfliktit të interesit.
Natyrisht mungesa e këtyre informacioneve që janë dokumente standarde për t’u punësuar fshehin probleme, të cilat tashmë kanë dalë në sipërfaqe.
Avokati Redi Ramaj shton se: “Ndërhyrjet politike dhe mënyrës se si zhvillohet konkursi mënyra si afrohen punonjësit e ri, mënyra si afrohen ngritjet në strukturë, ngritjet në detyrë, lëvizjet paralele janë të orientuar gjithmonë politikisht.”
Por Drejtori i Tatimeve nuk ka shkelur ligjin vetëm me emërimet, por edhe me rekrutimet. Administrata Tatimore është kthyer në një institucion publik, ku emërimet nuk bëhen në bazë të aftësive dhe kompetencave, por me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm pavarësisht ligjeve, të cilat bazohen te meritat profesionale.
Ky fakt konfirmohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka zbuluar një situatë problematike, e cila jo vetëm që krijon rreziqe për buxhetin e shtetit, por penalizon personat e kualifikuar ose specialistët, që prej kohësh po shterojnë në Administratën Publike.
“Ligji e ka parasysh të shkojë ai i duhuri në vendin e punës. Kjo është ideja!”- thekson avokatja Margarita Kola.
Audituesit kanë zbuluar se, për të njëjtin pozicion pune, kërkesat e arsimit dhe përvojës në punë ishin të ndryshme. Sipas KLSH-së, një inspektor ka si kriter pasjen e diplomës të nivelit “Master Shkencor”, si dhe me përvojë jo më pak se 2 vite në profesion, ndërsa një Inspektor tjetër, ka si kriter pasjen e diplomës “Master Profesional” dhe pa përvojë pune në profesion.
Pra, gara për të fituar vendin e punës, tashmë nuk varet nga meritat profesionale, por nga politikat drejtuese të instituciontit, të cilat në këtë rast shkelin ligjin e Kodit të Punës.