TIRANË

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar pas zgjedhjes së dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese.Ajo e ka përshëndetur këtë  veprim të Kuvendit, ndërsa shton se  organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Më tej në reagim thuhet  se “Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri.

Reagimi i ambasadës së SHBA:

“Prej votimit unanim të reformës në drejtësi në 2016-ën, institucionet shqiptare, përfshirë edhe organet e reja të pavarura të gjyqësorit, kanë punuar fort për të përmbushur vullnetin e popullit. Votimi i sotëm i Parlamentit çon Shqipërinë përpara në ringritjen e Gjykatës Kushtetuese, një organ jetësor për llogaridhënien dhe ekuilibrat demokratike. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur ngritjen e një sistemi gjyqësor të pavarur dhe të ndershëm në Shqipëri”-shkruan ambasada.

Kuvendi i Republikës votoi në seancën e sotme dy anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ato janë Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Elsa Toska ka marrë votat e 105 deputetëve të pranishëm në Parlament, 2 vota kundër dhe 9 vota abstenim, kurse Fjona Papajorgji mori 105 vota pro, 3 kundër dhe 8 vota abstenim.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb