Constantin von Alvensleben është emëruar drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës (TIA).

Në një njoftim për shtyp, TIA bën të ditur se Alvensleben do të udhëheqë ekipin menaxhues të TIA-s, duke mbikëqyrur strategjinë e zhvillimit të kompanisë dhe biznesit, marrëdhëniet me qeverinë dhe palëve të interesit.

Constantin von Alvensleben është një ekzekutiv me shumë përvojë, me një karrierë të gjerë ndërkombëtare në zhvillimin dhe menaxhimin e aeroporteve. Ai ka mbikëqyrur projektet kryesore të zhvillimit të aeroporteve ndërkombëtare, duke përfshirë vendet e CIS, Europës Lindore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ka menaxhuar gjithashtu procese të mëdha blerjesh dhe ofertash të aeroporteve ndërkombëtare në Indi dhe Australi.

Von Alvensleben do të punojë ngushtë me Volker Wenderfeuer i cili u emërua drejtor i Përgjithshëm i Operimeve i TIA-s në Korrik të këtij viti, dhe gjithashtu ka një përvojë të gjerë drejtimi të lartë në aeroporte ndërkombëtare, përfshirë Aeroportin Pulkovo në Shën Petërsburg në Rusi dhe aeroportin e Kajros, Egjipt.

Ai aktualisht është menaxher i Përgjithshëm i FAKT Group, një firmë e pasurive të patundshme dhe e zhvillimit të infrastrukturës me qendër në Essen, Gjermani. Para këtij roli, ai ka mbajtur pozicione të ndryshme të larta drejtuese në organizata, përfshirë këtu HOCHTIEF Concessions dhe HOCHTIEF Airport, filialet e firmës kryesore të ndërtimit HOCHTIEF Group. Ai ka qenë gjithashtu Kryetar i Konsulencës së specializuar të aviacionit T&L, e cila përqendrohet në maksimizimin e kapacitetit të terminalit, pasagjerëve dhe mallrave. Në vitin 2006 – 2007, Von Alvensleben ishte Shef Ekzekutiv i TIA. Në fund të mandatit të tij, TIA arriti një numër prej 1.2 milion pasagjerësh dhe një qarkullim prej 23 milion EUR.

Richard Hu, Kryetari i Këshillit Administrativ të TIA, tha: “Ne jemi të kënaqur të mirëpresim përsëri Constantinin në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Ai sjell me vete një përvojë shumë të rëndësishme në aeroporte, zhvillimin e infrastrukturës, kredenciale të larta lidershipi, si dhe një përvojë të pasur pune në tregjet ndërkombëtare dhe menaxhimin e projekteve të mëdha gjatë gjithë karrierës së tij. Me këtë sfond të gjerë në infrastrukturë dhe ndërtim, përvojë të dëshmuar të udhëheqjes dhe familjaritet me operacionet në Shqipëri, Constantini është i pozicionuar mirë për të udhëhequr TIA-n në fazën e saj të ardhshme të rritjes, duke garantuar gjithashtu se siguria do të jetë gjithnjë një nga prioritetet kryesore të TIA-s.”

Constantin von Alvensleben tha se “Jam i lumtur që kthehem si Drejtor Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës në një moment sfide. Numri i pasagjerëve dhe fluturimet ndërkombëtare po rriten ndërsa turizmi në Shqipëri vazhdon të lulëzojë. Jam i prirur të udhëheq ekipin gjatë kësaj periudhe rritjeje të jashtëzakonshme”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb