Propozimi për të shtrirë në shkallë europiane atë që ka bërë Italia me Shqipërinë, pra krijimi i “qendrave” apo “platformave të zbarkimit” në vendet e treta për menaxhimin e emigrantëve të parregullt, ndan shtetet anëtare të BE-së.
Nisma, e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, gjeti mbështetjen e Holandës dhe Danimarkës dhe interesin e të paktën tetë vendeve të tjera në bllok.
Por Franca dhe Belgjika, ndër të tjera, nuk duken të interesuara për të ndjekur “modelin” e Romës dhe Tiranës.
Pak para fillimit të samitit të Brukselit, Meloni, së bashku me lideren daneze Mette Frederiksen dhe kryeministrin holandez Dick Schoof, promovuan një takim jozyrtar ku morën pjesë edhe liderët e Greqisë, Qipros, Austrisë, Maltës, Republikës Çeke, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria. Bashkë me ta edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Pothuajse të gjithë pjesëmarrësit nënshkruan një dokument të përbashkët në maj duke i bërë thirrje Komisionit të krijojë partneritete më të forta me vendet përgjatë rrugëve të migracionit dhe të forcojë politikat e kthimit për ata që nuk kanë të drejtë për mbrojtje ndërkombëtare. Ndër rreshtat e letrës, është krijimi i qendrave në shtetet jashtë BE-së për dërgimin e migrantëve të parregullt dhe menaxhimin e kërkesave për azil prej andej. Përgjigja e Von der Leyen mbërriti pikërisht në prag të samitit të Brukselit: kreu i Komisionit nënvizoi marrëveshjen e arritur nga Roma dhe Tirana, duke ftuar vendet anëtare të eksplorojnë “mësimet praktike” që mund të nxirren nga kjo marrëveshje.
Dyshimet e Francës dhe Belgjikës
Marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë “besoj se tani për tani ka të bëjë me 19 persona (16 në realitet). Historia ka treguar që këto zgjidhje nuk çojnë në rezultate të mëdha. Mund të ndodhë që në të ardhmen të çojnë në rezultate më të mëdha. Tani për tani është e shtrenjtë dhe vëllimet janë të vogla, por do ta shohim në muajt në vijim”, tha shkurtimisht kryeministri belg Alexander De Croo.
Ndërsa Franca, sipas burimeve të Elysee, do të preferonte të inkurajonte riatdhesimet (“kur kushtet e lejojnë”) sesa të angazhohej për ndërtimin e “qendrave në vendet e treta”.
Për De Croo, qendrat rrezikojnë të dështojnë.
“Marrëveshjet me vendet e treta, që kanë të bëjnë edhe me investimet në energjinë e rinovueshme, siç kemi bërë me Egjiptin, Mauritaninë, Tunizinë, Belgjika ka bërë kështu me Marokun, po funksionojnë: flukset e parregullta janë ulur ndjeshëm”, siguron ai.
Në mesin e atyre që morën pjesë në takimin e kufizuar të kërkuar nga Meloni, dyshimet për qendrat mbeten.
“Do të doja të jem i kujdesshëm. Është një marrëveshje dypalëshe. Nuk e di nëse mund të përsëritet në nivel evropian. Ne gjithashtu duhet parë nëse funksionon vërtet”, deklaroi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në një intervistë për Financial Times.
Pasditen e së enjtes, Meloni iu rikthye temës duke folur në tryezën e liderëve të BE-së. Kryeministrja nënvizoi se si “marrëveshja italiane me Shqipërinë” mund të jetë gjithashtu një “parandalues kundër trafikantëve që nuk mund të sigurojnë destinacione të caktuara për emigrantët”.
Për këtë arsye, tha ajo, është e nevojshme të “vazhdohet puna për partneritetet me vendet e origjinës dhe tranzitit, duke ofruar ndër të tjera stimuj edhe atë të migracionit legal”.