Aktivistja Sidorela Vatnikaj e quan të dështuar marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët. Në një lidhje me skype për News24, Vatnikaj tha se emigrantët shohin se si ëndrra e tyre ndërpritet në momentin që zbresin në Shëngjin dhe Gjadër.
Ajo shtoi se emigrantët përzgjidhen në det të hapur dhe që në momentin e parë u konstatuan probleme siç ishte përzgjedhja e tyre e gabuar gjë që bëri kthimin e menjëhershëm të 4 prej tyre.
Sipas saj, vendimi i marrë nga Gjykata e Romës është një vendim i mirë.
“Dy liderët autokratë nuk morën mendimin e askujt, nuk pyetën komunitetet, organizatat e të drejtave të njeriut dolën kundër. Po kthehet në tragjedi tani. Çdo institucion që mbron të drejtat e njeriut ka dalë kundër marrëveshjes. Gjykata e Romës ka dhënë një vendim të rëndësishëm. Ne kemi protestuar dhe kërkuam nga GJK të mos e njohë këtë marrëveshje, cenon të drejtat e njeriut, emigrantët përzgjidhen në det të hapur dhe dështoi që në momentin e parë, emigrantët ishin përzgjedhur gabim, pra kuptohet sa demokratik ka qenë procesi. Shteti ndoqi një procedurë që shkel ligjin, kushtetutën dhe sovranitetin.
Për refugjatët ëndrra europiane përfundon këtu. Emigrantët shohin se si ëndrra e tyre për të lëvizur nga një shtet i pasigurt në një shtet të sigurt ndërpritet sepse ata përzgjidhen në det dhe ata nuk kanë as dokumente, janë në gjendje të vështirë. Ata u përdorën nga Rama dhe Meloni për të përmbushur marrëveshjen. Ne kemi thënë që ëndrra europiane përfundon këtu edhe për ne se jemi rritur me shprehjet “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” duke menduar pikërisht këtë europë demokratike që ka në bazë të vet transparencën dhe të drejtat e njeriut.
Ne shohim se Europa ka dështuar të menaxhojë krizën e refugjatëve dhe po suporton një marrëveshje që është kundër vlerave që ne kemi besuar se Europa ka“, tha Vatnikaj.
(BalkanWeb)