Zhvillimi profesional dhe pagat e larta në shtetet e Bashkimit Evropian po joshin gjithnjë e më tepër mjekët nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë dy viteve të fundit vetëm nga Maqedonia janë larguar rreth 400 mjekë. Ky fenomen që është në rritje mund të rrezikojë stabilitetin e sistemit shëndetësor në të të gjithë rajonin, thuhet në një hulumtim të realizuar nga organizata ndërkombëtare “Heltgruper”. “Mes mjekëve të rinj, në të gjitha vendet, sidomos në Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi ekziston një bindje se për të siguruar një vend pune patjetër duhet të kesh lidhje politike. Në Shqipëri prej vitesh mjekët e rinj zgjedhin të ushtrojnë profesionin e tyre në vendet perëndimore. Kjo është edhe një arsye tjetër që ndikon te disa mjekë të dëshpëruar, të cilët detyrohen të kërkojnë mundësi të punojnë jashtë vendit”, deklaroi Vlladimir Lazareviç nga “Heltgruper”. Emigrimi i personelit mjekësor ndikon në uljen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Ministri i Shëndetësisë në Maqedoni, Nikolla Todorov tha se ky problem është global dhe premtoi rritje të pagave për mjekët, për të parandaluar ikjen e tyre nga vendi. “Globalizim do të thotë që ato vende që janë më të pasura kanë mundësi të blejnë fuqi punëtore, të arsimuar në mënyrë serioze nga vendet më të varfëra. Ky është një nga efektet negative që ka globalizimi dhe me të cilin luftojnë të gjitha vendet, sikurse ne”, deklaroi Todorov. Gjermania dhe Sllovenia janë vendet më të preferuara për mjekët nga Maqedonia. Nga Shoqata e Mjekëve në Shkup vlerësojnë se largimi i personelit mjekësor nga vendi është pasojë e politikave të gabuara në sistemin shëndetësor.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: