Duke nisur nga viti tjetër për herë të parë qeveria franceze pritet të vendosë sistemin e kuotave për emigrantët në përpjekje për të luftuar emigrimin e paligjshem. Kryeministri Edouard Philippe tha se ligji do të bazohet tek sistemi i pikëve siç eshte ai në Kanada apo Australi.

Synimi është që në bashkëpunim me punëdhënësit Francezë të identifikohen ato industri ku mungojne kandidate të kualifikuar dhe ku të huajt mund ta mbushin atë boshllëk duke mos e vënë theksin tek vendet e origjinës, por te aftësitë e punonjësit. Ministrja franceze e punës Muriel Pénicaud deklaroi se një akt i tillë ndërmerret për të mirën e Francës duke punësuar njerëzit bazuar në nevojat që ky vend ka.

Kryeministri i Francës, pritet të zbulojë një seri masash pasi Franca pati një rekord prej 122,743 kërkesash për azil vitin e kaluar, 22% më shumë se një vit më parë. Masat e reja mund të përfshijnë kufizime për migrantët që marrin me vete edhe anëtarët e familjes ose kufizojnë aksesin në kujdesin shëndetësor për azilkërkuesit ndërsa kërkesat e tyre përpunohen. Një hap i tillë ndërmerret pak përpara zgjedhjeve lokale në Francë ku e djathta ekstreme e Marine Le Pen vazhdon të jetë një sfidante e fortë për presidentin Makron.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb