TIRANE

Sociologu Gëzim Tusha i ftuar në  rubrikën “Opinion” në  New24 teksa komentoi emigrimin e shqiptarëve nga vendi tha se vendi po paguan haraç të madh për shkak të politikës së dukjes.

Tusha u shpreh  se për shtresën e mesme të popullsisë varfëria nuk është një arsye e largimit, por cilësia e jetës. Sociologu kërkoi nga ana tjetër që politikanët të tregohen të sinqertë me qytetarët dhe të shmangin politikën e dukjes.

“Ne një vend që nuk jemi në luftë, ka shkaqe të tjera. Klasa politike shqiptare duhet ta shikojë mirë këtë që po ndodh. Edhe pas 28 vjetesh i çojnë njerëzit në një situatë që duan të lëvizin.  Unë e them që njeriu nuk mund të vdesë gjithmonë atje ku lind.

Njerëzit nuk kanë shpresë që mund të gjejnë zgjidhje për statusin e tyre ekonomik. Ajo që më shqetëson më shumë është largimi  i shtresës së mesme të shoqërisë. Pavarësisht se nuk janë një shtrese e pasur, varfëria nuk është arsye e largimit. Ata shikojnë anën cilësore të jetës. Nuk mund t’i mbyllësh gojën një njeriu t’i thuash ti ke kaq të ardhura. Janë disa komponentë që duken sikur janë sipërfaqësore, por janë të rëndësishëm. Problemi është se ne duhet të analizojmë pse ky tranzicion po jep efekte atipike. Unë them që duhet të jemi të sinqertë dhe politikanët të sinqertë, ta shmangin demagogjinë për të mbuluar gjërat. Reagimi që ka dalë pas protestës së studentëve, është një mënyrë e re e të parit të së vërtetës.

Praktikisht nuk ka rrugëdalje më, ky model që ndodhi me arsmimin e lartë duhet të ndodhë edhe në sektorë të tjerë të jetës sonë për të ndalur imigracionit.  Po plaket popullsia , numri i martesës ka rënë, jetëgjatësia është rritur, numri i divorceve është rritur. Vendi po paguan haraç të madh për shkak të kësaj politike për dukje”, u shpreh ai.

 (BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: