TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot dokumente që sipas tij tregojnë se Emiljano Shullazi është bashkëpronar i Vollgës në Durrës. Sipas Berishës prona tek Vollga është bërë ‘mollë sherri’ mes bandave të qeverisë.


“Mili i Partisë Siçiliste, pronar i madh pronash! Fotot bashkëngjitur tregojnë se Shullazi është bërë edhe de facto bashkëpronar i Vollgës në Durrës. Prona tek Vollga është bërë mollë sherri mes bandave të qeverisë. Siç kam shkruar në faqen time në facebook, para 16 muajsh për këtë pronë pati një aferë të rende ku bandat e qeverisë e kërcënuan me jetë kryeregjistruesin. Ndërsa për Vit të Ri 2016 u vra në mënyrë të mistershme në Durrës një i ri me mbiemrin Kodra por që nuk dihet nëse ka lidhje me pronën tek Vollga”, shkruan Berisha në facebook.


Akuzat e ish-kryeministrit shkojnë edhe më tej. Ai thotë se Shullazi bashkë me 5 kompani ka marrë në përdorim gjithë bregdetin e Durrësit për sezonin veror.


“Por përveç këtyre, burime nga Durrësi, qytet në të cilin Mili i Partisë kishte zhdëpur Gjushin e Bashkisë, informojnë se dy muajt e fundit ka marrë miratimin e këtij të fundit për ndërtimin e një fshati turistik në Lalz. Përveç këtyre, Milit të Edvin Shullazit i janë dhënë në Durrës kodra mbretërore territori, rreth pallatit mbretëror. Ai me 5 kompani ka marrë në përdorim për sezonin turistik të gjithë bregdetin e Bashkisë së Durrësit”, deklaron Berisha.

Ai përmend gjithashtu edhe drejtorin e Policisë së Durrësit, duke e cilësuar bashkëpunëtor të Shullazit dhe duke drejtuar akuza të rënda ndaj tij.

“Ky kriminel, së bashku me drejtorin e policisë së Durrësit, narkotrafikantin Pleurat Çullhaj (drejtori i vetëm që në tre vjet nuk ka lëvizur nga detyra dhe që vetëm në konto bankare ka 3 milion euro) kontrollojnë këtë vit të gjitha plantacionet e pafundme të Kanabisit në territorin e qarkut të Durrësit. Ai ka bllokuar tenderin e landfillit të Maminasit”, thotë ish-kryeministri.

Berisha i bën thirrje prokurorisë të qëndrojë përballë çdo presioni politik që kërkon të bllokojë hetimet. Njëkohësisht ai fton qytetarët të ndihmojnë në hetim.

“Duke shprehur mbështetjen time më të plotë për goditjen e njërit prej eksponentëve më kryesorë të krimit qeveritar, i bëj thirrje prokurorisë të qëndrojë me vendosmëri ndaj çdo presioni politik që kërkon të bllokoje hetimet dhe të pengojë shembjen e perandorisë së krimit të Shullazëve të pushtetit! I bëj thirrje qytetarëve të ndihmojnë hetimin e kësaj organizate kriminale me çdo të dhënë që ata disponojnë!”, përfundon Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

Etiketa: