NGA OLA MITRE* TIRANË– Ata pensionistë që kanë në përbërjen familjare fëmijë emigrantë nuk do të marrin kompensimin e energjisë elektrike për efekt të heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 KW orësh. Nisur nga ankesat e shumë familjeve në kryeqytet, por edhe në rrethe, të cilët thonë se po iu refuzohet kompensimi, pasi fëmijët e tyre nuk jetojnë në Shqipëri, “Gazeta Shqiptare” u interesua pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Sipas nëndrejtorit të këtij institucioni, Ali Emini, këto familje nuk do ta përfitojnë kompensimin, pasi ato nuk mund të vërtetojnë se fëmijët e tyre janë të papunë.
“Unë them që s’marrin sepse ai s’e vërteton dot që s’është në punë. Ne ligjin e kemi kur është i papunë. Atëherë le ta vërtetojë që është i papunë. Nga do ta gjejmë ne që ai është emigrant. Ai i bie që është në punë sepse ç’ndryshim ka një person që është brenda shtetit me një person që është jashtë shtetit?”,sqaroi Emini. Megjithatë, ndonëse nëndrejtori i ISSH shprehet se institucioni që ai përfaqëson është thjesht zbatues i ligjeve, nuk e konsideron si penalizim përjashtimin e këtyre pensionistëve nga e drejta e kompensimit.
Madje, ai vihet në rolin e tyre, duke iu përllogaritur vetë faturat pensionistëve, që sipas tij ‘nuk harxhojnë më tepër se 200 KW në muaj’.
“Por çfarë penalizimi thua: një apo dy pensionistë që janë në Shqipëri nuk harxhojnë më shumë se 200 KW në muaj. Sipas ligjeve të vjetra, të dy marrin nga 350 lekë kompensim, që iu shkon 700 lekë dhe 640 i marrin nga vendimi i mëparshëm, bëhen 1300 lekë. Këta shpenzojnë 200 KW, me 10 lekë KW, i thonë 2000 lekë, dhe i bie që të paguajnë 700 lekë ose që 1 KW ta paguajnë me 3 lekë. Nëse kanë nevojë për ndihmë sociale, të paraqiten për ndihmë sociale. Më lejo të them diçka: bëju një pyetje atyre që kanë bërë udhëzimin sepse ne jemi zbatues të tij. Ne nuk jemi organ i pushtetit lokal që ta vërtetojmë sa merr, si i merr, ku i ka njerëzit, ku i ka fëmijët. Ne mund të na gënjejnë gjithë ditën e të na thonë që “i kam refugjatë”, po ku e di unë që i ka refugjatë? Ose do i vërtetosh që i ke pa punë te Shërbimi Kombëtar i Punës sepse u duhen dokumentet që ta vërtetojnë. Unë po ju jap një shembull që kam një person pensionist që harxhon 120 KW në muaj, që bëjnë 1200 lekë. Ai si pensionist i vetëm do marrë kompensim 2000 lekë, çka do të thotë se atij i nuk i bie të paguajë, por të marrë lekë më tepër”, u shpreh Emini.

VENDIMI I QEVERISË

Sipas vendimit të qeverisë, personat që u përkasin shtresave në nevojë do të përfitojnë kompensim të energjisë elektrike për efekt të heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 KW orësh. Kompensim të diferencës së çmimit të energjisë elektrike, përfitojnë të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Po ashtu, kompensim do të përfitojnë edhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat, kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet si dhe familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar. Kushti për të përfituar kompensim për këto kategori është që personi të mos ketë asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.
Ndërkaq, dy kategoritë e fundit që do të kompensohen për energjinë elektrike janë të verbrit si dhe personat paraplegjikë e tetraplegjikë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: