TIRANE-Starton sot në “News24” emisioni më i ri investigativ “Kaktus” i gazetarit të njohur, Artur Çani. Dikur ideatori i emisionit “Ajsberg”, ai sot vjen me prodhimin më të ri përmes të cilit do të denoncojë skandale të korrupsionit apo fenomeneve të tjera negative që ndodhin çdo ditë në shoqërinë shqiptare. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare”, Çani rrëfen se si e ka menduar të dalë këtë herë para publikut shqiptar dhe përse ka zgjedhur pikërisht këtë emër për emisionin e tij më të ri. “Të gjitha fenomenet e korrupsionit do të ngulen në gjembaçët e kaktusit. Në gjembat e kaktusit do të ngelen të gjithë ata që janë të përfshirë në fenomene korruptive në shoqërinë shqiptare. Prandaj zgjodhëm këtë emër”, sqaron ideatori i këtij emisioni për ‘GSH’.


Realizimi
Emisioni “Kaktus” do të transmetohet çdo të premte në orën 21:00 në televizionin “News 24”. Këtë herë, gazetari Artur Çani nuk do të jetë në rolin e moderatorit të emisionit, por ai do të jetë në rolin e ideatorit të tij. “Këtë herë zgjodha të vij ndryshe, jo më si moderator, por si ideator i emisionit. Emisioni “Kaktus” do të ketë dy moderatorë që janë Alion Çaçi dhe Ermela Ruri, të cilët çdo të premte do të prezantojnë fenomenet e korrupsionit që ndodhin në çdo cep të Shqipërisë”, pohon Çani.


Ai zbulon edhe një pjesë të mënyrës se si është menduar realizimi i emisionit të parë që transmetohet sot. “Nuk do t`ju them shumë detaje, pasi dua që të gjitha të zbulohen kur të transmetohet. Por, po ju them se fokusi i emisionit do të jenë fenomenet korruptive në të gjitha sferat e shoqërisë shqiptare. Çdo emision do të jetë i ndarë në 3 deri në 6 pjesë që nuk do të kenë lidhje me njëra-tjetrën dhe në secilën prej tyre do të denoncohen fenomenet e korrupsionit. Emisioni i parë do të jetë i ndarë në 4 pjesë dhe në secilën prej tyre do të transmetohen katër fenomene korruptive nga qyteti i Durrësit, Fierit, Shkodra dhe Tirana. Do të goditet fenomeni i korrupsionit në të gjitha sistemet, atë shëndetësor, arsim, ekonomi, siç do të jetë rasti i ‘Albpetrol’, sistemi i sigurisë dhe shumë fenomene të tjera”, shprehet ideatori i emisionit “Kaktus”. Çani garanton se do jetë pranë qytetarëve duke u premtuar se do të kenë një derë të hapur për të denoncuar çdo shqetësim dhe problem që ata do të kenë.


(d.b/BalkanWeb)