“Quiz TV” është formati që pritet të nisë së shpejti në “News 24”. Një ‘show’ që ka në qendër informacionin, po ku lojtarët do të dalin me para si fitues nga kjo lojë. Krejt ndryshe nga sa jemi mësuar të shikojmë, këtë herë do të jenë dy femra ato që do ta drejtojnë. Daljana rrëfen për suplementin “Bluetooth” në “Gazeta Shqiptare” se formati do të mirëpritet nga publiku, që përveç parave, do të përftojë edhe kulturë apo dije. Me disa vite eksperiencë, Daljana vjen në “News 24” për të sjellë një tjetër frymë në televizionet shqiptare.


Daljana, tashmë do të shohim në rolin e prezantueses në “News 24”, në një program të ri televiziv. Mund të na tregosh diçka mbi eksperiencat e tua të mëparshme në këtë fushë?
Media për mua është një fushë e njohur, pasi kam eksperienca të mëparshme në ekrane të tjera. Kam filluar të prezantoj që në moshën 13-vjeçare, duke vijuar më pas me eksperiencë për dy sezone në ekranin e “Vizion Plus”, me prezantimin e emisionit “Next”. Gjatë vitit të shkuar kam qenë prezente në “Agon Channel”, sërish si prezantuese në emisionin “Summer Land”. Aktualisht punoj si gazetare pranë revistës “Bordo”, ku kam gjetur veten edhe në median e shkruar. Kam qenë gjithashtu imazh i “Albtelekom” dhe kam moderuar shorteun e zhvilluar vitin e shkuar, një lojë shpërblyese për abonentët.


Programi që do të drejtoni është argëtues e njëkohësisht interaktiv. Na zbulo disa detaje…
“Quiz TV” është një program tejet argëtues, në themel të të cilit qëndron informacioni dhe dija. Të gjithë fare lehtë mund të bëhen pjesë e emisionit vetëm me anë të një telefonate, ku në bazë të përgjigjes, bëhen fitues të shumave të ndryshme. Është një program i përditshëm, shumë intensiv, që kërkon një angazhim maksimal që nga realizimi e deri tek produkti final, ajo çfarë ne do të përcjellim te publiku. Është zgjedhur që të transmetohet në “News 24”, jo pa qëllim, pasi është një televizion që i dedikohet lajmit, e prania e ‘Quiz’-it do t’i sjellë televizionit një hapësirë argëtuese, duke ruajtur edhe formatin e informacionit, pasi ne gjatë gjithë kohës do të sjellim në ekran përveç ‘show’-t, edhe informacione dhe dije.


Përveç argëtimit, pjesëmarrësit në këtë program mund të fitojnë edhe para. Si është procedura dhe cilat do të jenë shumat që do të fitohen?
Çmimet do të variojnë në varësi të shkallës së vështirësisë dhe fushave përkatëse. Ky program është i ideuar mirë nga një staf shumë i përgatitur dhe i licencuar për lojërat e fatit, që udhëhiqet nga ideja e regjisorit Artur Bejzade, falë eksperiencës të gjatë e të shkëlqyer në këtë fushë, që nga ideimi i programit “Porta e Fatit”.

Në fakt ka disa formate të ngjashme në vendin tonë. Çfarë e bën të veçantë dhe cila është garancia juaj e suksesit?
Formati i “Quiz TV” ndryshe nga programet e tjera, ofron mundësi për të fituar vetëm me anë të një telefonate. Numri i vënë në dispozicion është numër me pagesë, por mundësia për të fituar është shumë e madhe. Pyetjet janë të thjeshta, nuk kërkojnë shumë angazhim, e veçanërisht është emision i të gjithëve, pra çdo grupmoshë mund të luajë dhe fitojë. Vlen për t’u theksuar që fëmijët nuk do të luajnë me shuma parash, por me dhurata që i përkasin moshës së tyre. Informacioni, dija dhe transparenca me telefonuesit është padyshim garanci për suksesin e këtij formati, i cili shpërblen duke dhënë dije, tipar që e bën lehtësisht të dallueshëm dhe të suksesshëm si emision.

Numri i telefonatave është 0900 dhe duhet thënë që ky “prefiks” nuk ka një reputacion të mirë. Mendon se do arrini ta ndryshoni këtë mentalitet?
Numri i përdorur për formatin e “Quiz TV” është një numër me pagesë, i cili është keqpërdorur, duke krijuar për fat të keq një imazh jo fort të mirë tek publiku. Kësaj here ky numër do të jetë në dispozicion të të gjithë bashkatdhetarëve, të cilët duan të testojnë dijet e tyre dhe të shpërblehen. Dhe ne besojmë që nëpërmjet transparencës që do t’i ofrohet teleshikuesit, pjesëmarrja në këtë emision kaq interaktiv do të jetë e padiskutueshme. Për të gjithë telefonuesit që nuk kanë pasur mundësinë të kapin linjën, ne do t’i ftojmë të luajnë dhe live në “Quiz TV Show” gjatë fundjavës.

Përgjithësisht emisionet dhe spektaklet prezantohen nga një mashkull dhe një femër, por ju do të jeni dy femra. Çfarë raportesh ke me kolegen, Matildën? Do të shohim pak konkurrencë dhe “xhelozi” pozitive mes jush?
Jemi njohur jo nga afër, pasi nuk kemi pasur mundësinë të punojmë në të njëjtat televizione, por gjatë kësaj kohe që kemi punuar për këtë projekt e them me bindje që do të jemi një dyshe shumë e dashur dhe do të përcjellim me shumë seriozitet dhe përkushtim këtë besim që na është dhënë. Për mua, një eksperiencë e tillë prezantimi nuk është e para.

Mes shumë e shumë prezantuesve shqiptarë, çfarë mendon se u mungon televizioneve shqiptare dhe çfarë do sjellë të re Daljana?
Për funksion të ‘show’-t, mund të luajmë me idenë që jemi dy femra për të krijuar pak humor në audiencë, por nuk ka vend për konkurrencë, pasi secila ka karaktere të ndryshme dhe mënyra të ndryshme prezantimi. Ndryshimi i vetëm do të jetë që javën që do prezantoj, unë nuk do jetë Matilda dhe anasjelltas.

Cila është ambicia jote më e madhe në këtë fushë?
Ekranet shqiptare kanë shumëllojshmëri formatesh dhe stile të ndryshme prezantimi. Origjinaliteti, të qenit vetvetja dhe krijimi i një marrëdhënieje me publikun, do të jetë ajo që dua të sjell, bazuar dhe në formatin që prezantoj. Unë si prezantuese njoh çdo informacion dhe çdo detaj që ka lidhje me quizin dhe përgatitja për të sjellë informacione është maksimale. Dua shumë që audienca të mos ndjejë distancim në raportin që krijon me mua si prezantuese, por të më shikojë si palë të tyren. Kjo është dhe filozofia e formatit.

Çfarë raporti ke me famën? Të tremb ideja se shumë shpejt mund ta gjesh veten në faqet e tabloideve rozë me lajme e thashetheme ndonjëherë të pakëndshme?
Jam përpjekur në mënyrë të vazhdueshme të jem larg vëmendjes dhe kërkimit të famës. Kjo është një punë që unë e bëj me shumë pasion dhe gjithmonë kam dashur që publiku të më njohë nëpërmjet ekranit, kjo është dhe arsyeja që nuk jam shumë aktive në rrjetet sociale dhe jetën time e dua private.

(Bluetooth/GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: