TIRANË

Emisioni Real Story në News24 ka nisur ndryshe nga herët e tjera e për të përfunduar sërish në një mënyrë të pazakontë.

Gazetari Sokol Balla tha se ky ishte emisioni më i shkurtër i jetës së tij dhe ka njoftuar se për shkak të situatës së krijuar nga tërmetet, por edhe sepse është Dita e Flamurit ka vendosur që sot t’ia lërë hapësirën Elvis Naçit, i cili ndodhet në Prishtinë me një mision.

“Mirëmbrëma dhe mirë se vini në Real Story. Ky është ndoshta ose do jetë në fakt emisioni më i shkurtër i jetës sime. jemi në ditën e tretë pas tragjedisë së madhe dhe tërmetit të rëndë katastrofik që shkatërroi shumë jetë njerëzish dhe mori gati 50 prej tyre. E them se është emisioni më i shkurtër pasi sot nuk kemi se çfarë të themi, sot është një ditë zie kombëtare, është një ditë e festës Kombëtare, është Dita e Flamurit. Është dita kur e festojnë dhe e kutjojnë shqiptarët kudo që janë. Sot më shumë se kurrë ne ndjehemi të bashkuar rreth flamurit tonë, për shkak se në këtë tragjedi që na goditi befas ne nuk jemi gjendur vetëm. Këtu unë në këtë moment do ta përfundoj emisionin dhe do ta kaloj në Kosovë linjën, do ta kaloj në Prishtinë, aty ku Elvis Naçi do të drejtojë një eveniment të madh për të mbledhur bamirësi, bamirësi që do t’i kushtohen zonave të goditura, kryesisht zonës së Thumanës ku do të ngrihen shtëpi për ata që e humbën atë nga ajo tronditje shkatërruese e tokës, në orën 3:54 të datës 26 nëntor. Unë dua ta kaloj linjën nga Tirana në Prishtinë duke falënderuar shqiptarët e Kosovës pa të cilët situata jonë këto 2-3 ditë do të kishte qenë shumë e vështirë dhe unë në emër të gjithë shqiptarëve i shpreh mirënjohjen atyre dhe t’u them atyre si gjithë shqiptarëve kudo që janë, pavarësisht gjithçkaje ta gëzojmë Ditën e Flamurit dhe njëherë faleminderit Kosovë”, tha Balla.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb