Inpsektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka kërkuar shkarkimin e gjyqtares së Shkodrës, Arta Llazari, për shkelje të mundshme të detyrave të saj.

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka pranuar pjesërisht këtë kërkesë dhe ka vendosur që Llazari të pezullohet nga detyra për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Abuzimet e Llazarit me pronat në qytetin e Shkodrës janë denoncuar më herët nga emisionit “Vetting” në News24.

Denoncimet e emisionit Vetting për gjyqtaren Llazari

Për gjyqtaren Arta Llazari, emisioni Vetting në News24 ka publikuar dëshmitë e qytetarëve, të cilët janë zvarritur dyerve të gjykatave për të marrë drejtësi për pronat e tyre që i disponojnë me dokumente të ligjshme, ndërkohë që janë mbajtur të bllokuara për interesa të dyshimta të personave me influencë.

Në hetimet e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metani për gjyqtaren Arta Llazari është konstatuar se kjo e fundit : “Veprimet e magjistrates janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhencës, e përsëritur dhe e vazhdueshme, e në disa raste kanë shkaktuar dëm në procedurat hetimore.

Gjyqtarja ka dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të, edhe pse ka 24 vite eksperiencë, tregues i njohjes shumë të mirë të ushtrimit të detyrës me disiplinë. Vonesat në mosvënien në lëvizje të gjykimit dhe të arsyetimit të vendimeve gjyqësore nuk justifikohen nga shkaqe të arsyeshme personale, shëndetësore, familjare, të cilat janë të lidhura direkt me magjistratin”.

Me tej theksohet se: “ILD i propozon Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për magjistraten A. Ll., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër”.

Hetimi i ILD per Arta Llazarin

Mbi kërkesën për procedim disiplinor me masën “Shkarkim nga detyra”, për magjistraten Arta Llazari

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka nisur hetimin disiplinor ndaj magjistrates Arta Llazari, gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, bazuar në 11 ankesa për mospërmbushje të rregullt të detyrës, e shkelje të afateve procedurale civile e penale. Dhe gjithashtu gjatë hetimit janë evidentuar edhe fakte të tjera, të cilat I janë shtuar hetimit të nisur.

Hetimi i inspektorëve të ILD-së ka konkluduar se:

Nga ana e magjistrates subjekt hetimi disiplinor janë ndërmarrë veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të afateve procedurale civile dhe penale të arsyetimit të vendimit gjyqësor, si dhe mosvënie në lëvizje të çështjeve civile, duke tejkaluar afatet tej çdo llogjike, e në mënyrë të vazhdueshme, çka është thuajse e barabartë me mungesën e drejtësisë.
Ndër konstatimet raportit:

– Në shumë raste nga regjistrimi i çështjeve dhe caktimi i tyre gjyqtares, janë evidentuar mos kryerje veprimesh për një periudhë prej rreth mbi 3 vite.

– Rreth 64% e çështjeve civile të themelit për vitin 2021 dhe 90% për vitet 2022 dhe 2023 janë në tejkalim të afatit ligjor të arsyetimit/dorëzimit (vendime të llojit kryesisht vërtetim fakti juridik për njohje vërtetësie e zgjidhje martese, njohje pronësie apo pjestim pasurie.)

– Vonesa të ngjashme janë evidentuar në urdhëra ekzekutimi (78% e çështjeve në 2023); lëshim i urdhërit të menjëhershëm të mbrojtjes/vërtetim urdhëri (deri në 60% e vendimeve tej afatit ligjor të arsyetimit/dorëzimit për vitin 2023); për kërkesa penale kryesisht ankim ndaj vendimit të mosfillimit të prokurorit (85% e vendimeve në vitin 2023, të padorëzuara); për kërkesa penale “masa sigurimi” ku përfshihen edhe vendime lejim/vleftësim përgjimi/kontrolli, tej afatit ligjor të arseytimit/dorëzimit janë 6% e vendimeve për vitin 2021, 16% për vitin 2022 dhe 66% për vitin 2023. Vendimet e padorëzuara në vitin 2023 janë 43% e vendimeve tej afatit ligjor.

Veprimet e magjistrates janë kryer të paktën me pakujdesi në formë neglizhencës, e përsëritur dhe e vazhdueshme, e në disa raste kanë shkaktuar dëm në procedurat hetimore.
Gjyqtarja ka dëmtuar dukshëm imazhin e drejtësisë dhe besimin e publikut në të, edhe pse ka 24 vite eksperiencë, tregues i njohjes shumë të mirë të ushtrimit të detyrës me disiplinë.
Vonesat në mosvënien në lëvizje të gjykimit dhe të arsyetimit të vendimeve gjyqësore nuk justifikohen nga shkaqe të arsyeshme personale, shëndetësore, familjare, të cilat janë të lidhura direkt me magjistratin.
Nga hetimi bazuar në materialet voluminoze të administruara e shqyrtuara, arrihet në konkluzionin se veprimet/mosveprimet e ndërmarra nga gjyqtarja përbëjnë “Shkelje shumë të rëndë disiplinore“, parashikuar nga neni 102, pika 1, shkronja “d” dhe “dh” të ligjit “Për statusin”.

ILD i propozon Këshillit të Lartë Gjyqësor caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për magjistraten Arta Llazari, me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

Gjyqtarja Arta Llazari i mban peng pronën të moshuarit, “Vetting” zbulon shkeljet

Ahmet Bilali, 76 vjeç, ka jetuar gjithë jetën në Shkodër. Pas shumë vitesh përpjekjesh dhe betejash ligjore, ku është gjykuar me dokumente të falsifikuara, 76-vjeçari përballet me një realitet edhe më të tmerrshëm: kërcënimet për jetën.

I frikësuar dhe i braktisur nga institucioni që duhet ta mbrojnë, Ahmeti kërkon drejtësi, por e gjen veten të bllokuar, pasi atij nuk i zbardhen vendimet për të cilat ka pritur për më shumë se dy vjet. Sipas avokatit Arben Llangozi: “Qytetarët vuajnë për të marr një vendim të arsyetuar, nuk kemi vetëm një rast, por kemi shumë raste të paarsyetuara”. Pasuri me letra, e certifikuar, por asnjë centimetër katror ai nuk mundet ta mbjellë, të paktën jo deri tani. Toka e tij, e cila duhet të ishte një mundësi për të ndihmuar veten dhe familjen e tij, ka mbetur thjesht një copë dokument, që nuk e ushqen dot. Denoncuesi Ahmet Bilali shprehet: “Agjencia e Kthimit të Pronës më ka kthyer disa prona të trashëguara, i kam të certifikuara, të hipotekuara dhe nuk e gëzoj pronën, nuk më lënë ta gëzoj”.

Pala tjetër që pretendon pronën, sipas denoncuesit, nuk ka dokumentet përkatëse. Duke ndërtuar dhe gëzuar aktualisht mundin e dikujt tjetër. Ahmet Bilali vijon: “Si ka mundësi?! Si mund të ndodhë reforma agrare e 1946 të përdoret në gjykatë dhe prokurori. Si mund të ndodhë se 2 kryetarë gjykatash, ia kanë hedhur poshtë 3 herë. Është e imja thonë, më jepni more një dokument që keni. Jam i certifikuar dhe s’më lënë të gëzoj pronën, kanë pasur edhe kurajën të më çojnë në gjyqe me një dokument të falsifikuar të reformës agrare 1946, që është i falsifikuar”. Avokati Arben Llangozi sqaron për “Vetting” se: “Kemi të bëjmë me kalim pronësie me ligj, por nëse i kanë kaluar më parë një personi tjetër, kemi një shprehje që përdorim në drejtësi, nuk mund të kalojë e drejta e pronësisë kur i ka kaluar një personi tjetër, rrjedhimisht dokumenti i reformës agrare është i pavlefshëm”. I moshuari është lodhur nga 13 vjet betejë e pafundme ligjore për të rikthyer një pronë që e ka të trashëguar dhe me certifikatë pronësie.

NË KËRKIM TË SË DREJTËS

Myshit Vorspi, kryetari i Shoqatës Pronësi në Drejtësi shprehet: “Gjithë kjo kohë e gjatë ka shërbyer vetëm për një gjë, që pronarët të degdisen në gjykata, ku sot një proces gjyqësor që të kalojë 3 shkallët e gjyqësorit do minimalisht 15 vjet”. Pas shumë vitesh agoni, në fund, një dritë shprese ka ndriçuar në fund të tunelit, një vendim gjykate që ia kthen pronën. Por kjo dritë duket se është thjesht një iluzion, sepse vendimi është mbyllur prej dy vitesh në sirtarin e gjykatës, aty ku duket se i shërben më shumë pluhurit se drejtësisë. Të gjithë prisnin një ringjallje të drejtësisë, por për Ahmetin, ky është një tjetër kapitull i pafund i pasigurisë, ku pas çdo drite, një errësirë e re ndjek pas. 76-vjeçari Bilali sqaron se: “Gjykata ka marrë vendim për të liruar sendin, ka dy vjet nuk e zbardh vendimin gjyqtarja, se u ka fshehur vjedhjen”.

Bilali denoncon gjyqtaren Arta Llazari, e cila e ka mbajtur në gjyq për 10 vjet, kur prona e tij është me hipotekë. Gjyqi është zhvilluar mbi një dokument të falsifikuar të Reformës Agrare. Pas 10 vjetësh gjyqtarja i jep të drejtë Ahmet Bilalit, por sërish vazhdon ta mbajë peng, duke mos zbardhur vendimin prej 2 vitesh nga marrja e tij. “Në qytetin e Shkodrës është një gjyqtare, Arta Llazari, ka me qindra çështje që nuk cakton data. Kam një çështje që bën 5 vite që nuk i ka caktuar datën. Këto shkelje kanë qenë edhe më parë, por sistemi i drejtësisë nuk i ka evidentuar duke kaluar pa u vënë re”, – sqaron avokati Llangozi. Një drejtësi e vonuar që po e lodh në çdo qelizë këtë të moshuar, i cili nuk kërkon asgjë tjetër veçse pronën e trashëguar nga gjyshi i tij. “Të gjithë këta e dinë që është toka ime e blerë me napolona ari”, – thotë Ahmet Bilali. Por edhe pse me një certifikatë të dhënë nga Kadastra e Shkodrës, sot ASHK, që në vitin 2010 ai vetëm sa e posedon atë si dokument, ndërsa prona vazhdon t’i mbahet “peng” në mënyrë të kundërligjshme fqinjët e tij, ndërsa institucionet ku ka trokitur nuk e kanë mbështetur 76-vjeçarin. Sipas kryetarit të Shoqatës Pronësi në Drejtësi, Myshit Vorpsi: “Po luhet me jetën e pronarëve në mënyrë që shteti të mos të bëjë asgjë”.

BRAKTISJA E KALLËZUESIT

Pas kaq shumë vitesh mundimesh, ky dokument që e merr në duar si një simbol të drejtësisë që nuk ka ardhur kurrë, duket se do t’i kujtojë shtetit se ende është duke pritur pronën. “Kjo është certifikata që më ka kthyer shteti shqiptar, nuk e gëzoj këtë pronë ka 4 vjet”, – thotë Ahmet Bilali. 76-vjeçari ka tentuar ta shfrytëzojë atë tokë, por për shkak të konfliktit dhe tensioneve që e kanë shoqëruar atë, askush nuk guxon të afrohet në këtë zonë të nxehtë. Ndërsa ai përpiqet të bëjë të mundur përdorimin e tokës së tij, e gjen veten pa mbështetje. Askush nuk afrohet për të punuar parcelën. Bilali shton: “Ma sill një traktorist, nuk të lejnë, kanë heq shtylla vetëgjyqësia”. Ahmeti, i cili ka shpenzuar vite të tëra duke tundur çdo derë të mundshme, nuk ka lënë asnjë institucion pa e informuar, pa ia bërë të ditur vuajtjet e tij dhe pa i kërkuar drejtësi. Në çdo hap që ka bërë, ka lëvizur një gur të rëndë për t’i vendosur të gjithë të dijen se prona e tij është e grabitur. Ka dërguar ankesat, ka kërkuar ndihmën, por ende nuk ka gjetur asnjë shenjë shprese. Dhe ndërkohë, ajo çka merr është heshtje. “Kam kallëzuar mafien zyrtare të tokave të gjitha pushohen”, – tha Ahmet Bilali. Dhe në vend që prokuroria që këtë person Nush Hotaj e kam kallëzuar, Prokuroria e ka pushuar çështjen Blerta Hamza, prokurorja që ka marr përsipër të legalizoj vjedhjen. Me ironi dhe zhgënjim i moshuari habitet se si mund ta çonin në dyert e gjykatave, teksa sipas tij, ka të gjitha dokumentet konform ligjit. “Të më çojnë në gjykata me dokumente false e Prokuroria të heshtë dhe gjykata të heshtë”, – shprehet Ahmet Bilali. I moshuari nuk dorëzohet, as përballë vështirësive të panumërta dhe as përballë dyerve të mbyllura, që asnjëherë nuk janë hapur për të. Ai e di se lufta për të drejtën e tij është ende e papërfunduar dhe do të vazhdojë ta kërkojë deri në frymën e fundit, sepse për të, pronat e tij nuk janë thjesht copë toke, por një pasuri e së drejtës dhe dinjitetit të humbur. “Me letër në dorë do ta kërkoj deri sa të vdes”, – thotë ai. Për të vërtetuar që edhe sot e kësaj dite nuk i është zbardhur vendimi, i jemi drejtuar gjykatës së Shkodrës. Por, si para 24 muajsh, asgjë nuk ka ndryshuar. Vendimi fle në dosje duke vonuar drejtësinë dhe mohuar pronën. “Sa erdha, nga sekretaria e gjykatës, më informuan se ende nuk është zbardhur vendimi”. Arta Llazari ka 2 vite që nuk zbardh vendimin. Pasi më ka gjykuar 13 vite me dokumente që pala tjetër i ka të falsifikuar që nuk kanë lidhje me mua më mban akoma nuk zbardh vendime i sorollat nuk jep përgjigje”, – thotë Ahmet Bilali.

QYTETARI NË KËRKIM TË VENDIMIT

Ahmet Bilali ka kërkuar te drejtuesit e gjykatës së shkallës parë Shkodër e më pas edhe në Ministrin e Drejtësisë, që të urdhërojnë gjyqtaren Llazari për të zbardhur vendimin, por deri më sot nuk ka arritur ta marra. Edhe përse i është drejtuar disa herë Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Bilali nuk ka mundur të gjejë zgjidhje.

Sipas avokatit Llangozi: “Afati ligjor është 20-ditor çdo ditë që kalon është një shkelje ligjore. Në drejtësinë e vjetër, një gjyqtar është marrë i pandehur për mosarsyetimin e enjë vendimi Aq agresiv ka qene ligji deri në vitin 2016”. “Vetting” i është dërguar me një kërkesë për informacion Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe në kthim përgjigje të saj ka sqaruar se: “Për sa kërkoni nga verifikimet e kryera, rezulton se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, bazuar në ligjin nr. 96/2016, “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates z. A. Ll., me vendimin nr. 731/ 3 prot., date 16.04.2024″. Avokati zbulon një detaj shumë të rëndësishëm rreth gjyqtares. Sipas tij, po mbahet i fshehur shkarkimi i Arta Llazarit më datë 19 shkurt 2025 për shkak të lidhjeve që ajo dyshohet se ka. “Kësaj gjyqtareje i është kërkuar dorëheqje në datë 19 të këtij muaji nga ILD, por me sa kuptohet shkeljet e rënda të saj duan t’i kalojnë në heshtje”, – shprehet avokati.

DEKLARIMI I PASURISË NGA GJYQTARJA

Gjyqtarja Llazari ka deklaruar zotërimin e 1/3 e pjesës takuese në një apartament të përfituar nga familja e origjinës me anë të privatizimit, kur ishin katër anëtarë në familje. Në vitin 2005 ajo ka deklaruar se prindërit kanë blerë prej vëllait pjesën e tij takuese kundrejt shumës 1 milion lekë, pasi ai është ndarë nga trungu familjar. Por në vitin 2005 gjyqtarja nuk ka deklaruar burimin e parave për blerjen e pjesës së shtëpisë. Gjithashtu nuk ka deklaruar burimin e të ardhurave për në blerjen e një sipërfaqe toke 1000 m2 në fshatin Pulaj të Shkodrës në vitin 2005, kundrejt çmimit 3 milionë lekë. Duke hedhur dyshime të arsyeshme se kemi të bëjmë me fshehje, sipas KPP. Gjyqtarja jetonte në vitin 1990 e në vijim me nënën babain dhe vëllain duke mosdeklaruar në mënyrë të qartë kontributet e secilit prej katër anëtarëve të familjes rrjedhimisht as të ardhurat. Në pasurinë e saj janë evidentuar disa transaksione bankare të kryera nga nëna e subjektit në vitet 2008-2009 në vlerën totale 63 mijë euro, që janë investuar për një periudhë kohe në depozita. Në vitin 2009 vëllai Bledi Llazari ka hapur një kompani me emërtimin Techno Gas. Objekti i kësaj veprimtarie ishte “Ndërtim, projektim, zbatim te ndërtimeve civile, industriale, hidroteknike, turistike, bujqësore, prodhim dhe shpërndarje te energjisë elektrike me ane te ujit, erës, gazit, energjisë diellore te” por në 3.06. 2010 kjo kompani pezullohet, duke i lënë vendin një tjetër kompanie.

Bledi Llazari ka në pronësi një tjetër kompani “Kostandini Group” me 75% të aksioneve, ndërsa ortaku tjetër Alfred Mulaj është me 25% të aksioneve. Kjo kompani është themeluar në vitit 2009, me objekt “Tregtimi me shumice e pakice i artikujve të ndryshëm të konsumit të gjere industriale, ushqimore, materiale ndërtimi, pajisje elektroshtëpiake e hidrosanitare, makineri e pajisje të ndryshme”.

Në total, nëpërmjet kësaj kompanie në Gjykatën e rrethit Shkodër, Prokurorinë e rrethit Shkodër, bashkinë etj., “Kostandini Group” ka përfituar për periudhën 2019-2025 nga tenderat më shumë se 100 milion lekë. Tenderat janë marrë nga institucioni i gjykatës, ku e motra punonte dhe vazhdon të punojë si gjyqtare.

Zbardhet mashtrimi, si falsifikoi firmën e pronarëve noterja Zana Dema

Në vitin 2005 është hartuar një prokurë false nga noterja Zana Dema në Lezhë së bashku me dy persona të tjerë, të cilët kanë shitur tokën e fisit Palokaj, duke falsifikuar firmën e tyre, vepër penale për të cilën noterja dhe bashkëpunëtorët e saj janë dënuar nga Gjykata e Lezhës.

Me anë të vendimit 442/ 2006, kjo gjykatë i ka shpallur si të pavlefshme veprimet e kryera nga prokurat e falsifikuara dhe ka urdhëruar ishZyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Lezhë, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës Lezhë, që të bëjë regjistrimin e pasurisë në emër të të gjithë ish-pronarëve. Madje, në transaksionet me prokurën e falsifikuar ka indicie për evazion fiskal, pasi sipërfaqja prej 101 mijë metro katrorësh është blerë me vlerë totale 2 milionë e 500 mijë lekë, një shifër shumë e ulët për sa i përket vlerës së tokës në atë kohë.

ASHK SFIDON GJYKATËN

Denoncuesi Nik Palokaj ka kërkuar nga ish-Zyra e Regjistrimit të Pasurive Regjistrimin e Pronës, por ASHK-ja ka dalë mbi vendimin e gjykatës duke deklaruar se transaksionet mbi pronën janë realizuar përpara vendimit të Gjykatës Lezhës në 2006. Sipas përgjigjes në vitin 2016, ish-Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka deklaruar se vendimi 442 i vitit 2006 është i pavlefshëm, pasi prona është tjetërsuar te palë të treta. Gjithashtu ish-zyra Qendrore asokohe deklaronte se vendimi nuk sillte asnjë pasojë juridike dhe në vendimin e gjykatës nuk është marrë parasysh interesi i palëve të treta. Pra, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka bllokuar transaksionet, duke pretenduar se mund të interpretojë vendimin Gjykatës Lezhë. Për “Vetting”, Palokaj pohon se mori një përmbarues privat për të rimarrë pronën e tij, por kjo nuk ndryshoi asgjë sepse e njëjta përgjigje vinte nga ishZyra e Regjistrimit. Në disa raste, përmbaruesi privat i ka vendosur gjobë drejtuesit të Zyrës së Regjistrimit Lezhë, Bledar Mulaj me vlerë 50 mijë lekë. Nika rrëfen se e ka pasur të pamundur të bëjë regjistrimin e pronave dhe nuk ka lënë institucion publik pa iu drejtuar, por deri më sot asgjë nuk ka ndryshuar.

KËRKESAT E “VETTING”

“Vetting” i ka drejtuar disa herë kërkesë për informacion Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë dhe ka vendosur në dijeni ASHK-në Qendrore për arsyet se pse nuk zbatohet vendimi 442/2006 i Gjykatës Lezhë, por në të dyja rastet nuk ka pasur asnjë ndryshim për regjistrimin e pronave. Më 1 tetor 2024, drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lorena Goxhobelli, ka deleguar kërkesën e “Vetting” te Kadastra Lezhë, ku evidentohet denoncimi nga Nik Palokaj. Në kthimpërgjigje për “Vetting”, drejtoresha Goxhobelli deklaron se ia ka kaluar trajtimin e kësaj kërkese dhe denoncimin e banorit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë, e cila duhet ta trajtojë sipas akteve ligjore në fuqi.

Pas disa kërkesash nga “Vetting”, Kadastra Lezhë dërgoi dy dokumente zyrtare që lidheshin me pronën e fisit Palokaj, ku janë marrë dy urdhra vendimesh nga ASHK-ja Lezhë. Sipas kryeregjistruesit Ndue Vathi, për urdhrin e vitit 2010 dhe kryeregjistruesit Arben Qirjako për urdhrin e vitit 2011, në të dyja rastet refuzohet vendimi i regjistrimi i pronës së fisit Palokaj pasi ekziston një udhëzim nr. 1. Datë 31.01.2007 i Këshillit të Ministrave të qeverisë Berisha asokohe, i cili i pengon të regjistrojë këto prona. Por se çfarë e pengon sot ASHK-në Lezhë të regjistrojë pronën e Nik Palokaj ngelet e paqartë dhe kjo pyetje ka ngelur pa përgjigje nga Drejtori Altin Gjergji, i cili vazhdon të sfidojë vendimet e gjykatës. Në 30 vite tranzicion reforma agrare, ligji 7501, sistemi i dobët gjyqësor dhe mungesa e gjyqtarëve ka sjell stërzgjatjen në kohë të çështjeve dhe vendimeve ndonjëherë edhe për shkak të burokracive. Më tragjike janë rastet kur individët kanë luftuar dyerve të gjykatës dhe kanë humbur jetën para se të merrnin pronën. Ka raste kur pamundësia ekonomike i ka lënë pa një avokat dhe pa e ndjekur në rrugë gjyqësore. Ka dhe raste si këto që “Vetting” solli, vendimet janë finalizuar nga gjykata, por nuk zbatohen nga vet shteti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb