Prokuroria e Sarandës ka vendosur 4 masa sigurimi për ish zyrtarë të ASHK Sarandë dhe një ish deputet, te dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”.

Pas vendimit të dhënë nga Gjyqtari i seancës paraprake i cili la në fuqi kërkesën e Prokurorisë, policia e Sarandës ka ekzekutuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-Drejtoreshën e ASHK Sarandë, Aida Demi 40 vjeç, si dhe masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” për ish zyrtarët e po të njëjtit institucion, Erald Lika 33 vjeç dhe Ermen Stroka 34 vjec dhe ish-deputetin e Partisë Demokratike Gani Hoxha. Gjatë caktimit të masës së lehtë të sigurisë ndaj Demit, mësohet se janë marrë parasysh edhe kushtet specifike familjare të saj, si nënë e dy fëmijëve të mitur.

Njëkohësisht Prokuroria e Sarandës ka dërguar për gjykim çështjen në ngarkim të 4 personave të mësipërm.

Zyrtarët e ndaluar mësohet se kanë legalizuar një objekt 4 kate në hyrje të qytetit të Sarandës me sipërfaqe ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sipërfaqe 1056 m2 aktivitet social ekonomik, duke i bashkangjitur edhe një truall 1000 m2.

Objekti bashkë me truallin më pas është pajisur me certifikatë pronësie në emër të shtetasit Gani Hoxha. Prokuroria e cilëson legalizimin dhe regjistrimin e pronës si të paligjshëm, pasi kjo pronë realisht është e regjistruar në emër të familjes Sejko dhe është përfituar nga Hoxha me dokumente të falsifikuara.

Brenda tre ditëve në vijim, katër të ndaluarit pritet të paraqiten në Gjykatën e Sarandës për t’u njohur me masat e sigurisë.

Njoftimi:

Pas hetimeve disa mujore Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, ka mbyllur hetimet duke proceduar penalisht ish-drejtoreshen e ASHK-SË Sarandë, A.D., nën akuzë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe dy ish-specialistet e ASHK Sarandë, E.S. dhe E. L., të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme kanë lejuar legalizimin e një objekti katër kate në favor të një shtetasi i cili ka përdorur dokumenta të falsifikuara.

Ndaj shtetasve më sipër, me vendimin nr 113, datë 13.5.2024, pas kërkesës së organit të akuzës, është caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, masa e sigurise “arrest në shtëpi” ndërsa ndaj ish-drejtoreshes së ASHK Sarandë, për shkak të statusit të saj “nënë me fëmijë nën tre vjeç” është caktuar masa e sigurisë “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.

Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” është caktuar edhe ndaj shtetasit G. H., si personi që ka përfituar padrejtësisht nga procedura e legalizimit dhe që dyshohet se ka përdorur dokumenta të falsifikuara.

Nga këto veprime të kundraligjshme të specialiteve dhe ish-drejtoreshes së ASHK Sarande, është tjetërsuar pasuria (Truall me sipërfaqe 1000 m2 dhe godine katër kate me sip ndërtimi për banim 1359 m2 dhe me sip 1056 m2 aktivitet social ekonomik).

Kjo godinë disponohej dhe jepej me qira prej vitesh nga pronarët e vërtetë një subjekti të njohur tregtar në të gjithë teritorin e vendit i cili ushtronte aktivitet edhe në periudhën kur janë kryer procedurat e legalizimit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, po vijon hetimet edhe për fakte të tjera në ngarkim të zyrtarëve lokale të përfshire në paligjshmeri në ushtrim të detyrave shteterore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: