Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Fake Promise”, i realizuar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare. Ky operacion bëri të mundur arrestimin e pronarit dhe administratorit të një subjekti call center që dyshohet se ka mashtruar shtetas të huaj për të investuar në bursa fiktive.

Në përfundim të operacionit, janë arrestuar në flagrancë shtetasit Olisjo Planaj, 22 vjeç, pronar i subjektit, dhe Erdi Muça, 25 vjeç, administrator. Po ashtu, janë proceduar në gjendje të lirë tre operatore, J.B., 36 vjeçe, S.Gj., 27 vjeçe, dhe Xh.M., 30 vjeçe, të punësuara në këtë subjekt.

Gjatë hetimeve është zbuluar se Muça menaxhonte një call center në rrugën e Dibrës, i cili nuk ishte regjistruar në organet kompetente. Shtetaset operatore, në bashkëpunim me administratorin, telefononin shtetas të huaj dhe prezantoheshin si agjentë shitjesh, duke i mashtruar për t’i bindur ata të investonin në faqen “Coin Tracking”, e cila reklamonte investime fiktive.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 5 njësi kompjuterike, 7 aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb