POGRADEC- Një foshnje vetëm 4 ditësh i seksit mashkull ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në Maternitetin e Pogradecit. Foshnja i përkiste çiftit Agron dhe Suela Hyka nga fshati Buzaishte, të cilët bëheshin prindër për herë të parë. Sipas familjarëve foshnja lindi para 4 ditësh dhe mjekët të cilët e kishin ndjekur lindjen iu kishin thënë se fëmija ishte mirë. Sot fëmija ka pasur komplikacione dhe për këtë e kishin nisur rreth orës 20:00 drejt Tiranës por rrugës foshnja kishte ndërruar jetë. Familjarët të tronditur për humbjen kanë dyshime të forta se faji është i mjekëve pasi ata u kishin deklaruar se fëmija kur lindi pas operacionit ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërkohë në maternitet mbërriti policia e Pogradecit, e cila mori në pyetje mjeket dhe familjarët. Ndërsa foshnja u nis drejt morgut te spitalit ku do te kryhet edhe ekspertiza mjeko-ligjore e cila do të zbardhe edhe shkaqet e vdekjes së foshnjës.

Pas denoncimit të babait të foshnjës, policia ka nisur procedimin penal ndaj mjekut pediatër për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”.

Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit N.E., 52 vjeç, banues në Pogradec (me detyrë mjek pediatër për fëmijët e porsalindur).

“Procedimi ndaj tij filloi pasi, dje në Maternitetin e Pogradecit, ka ndërruar jetë një foshnjë e porsalindur (gjinia mashkull) babai i të cilit shtetasi A.H, 33 vjeç, banues në fshatin Buzaishte-Pogradec, pretendon se vdekja e tij, ka ardhur si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm nga ana e mjekut. Nga këqyrja e jashtme e kufomës nuk dallohen shenja ose probleme, ndërkohë pritet kryerja e autopsisë ditën e sotme, nga ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë. Policia po punon për zbardhjen e plotë të  rrethanave të ngjarjes”, deklaron policia.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: