Nën dyshimin se nxorën sekrete nga superaksioni i RENEA-s në Elbasan, ku u zbulua një arsenal armësh të sofistikuara, dy oficerë policie janë pezulluar nga detyra. Lajmi u konfirmua zyrtarisht nga policia e Shtetit, e cila theksoi se pezullimi i tyre u bë nga Drejtoria e Standardeve profesionale pas verifikimeve që nisën pas daljes në publik të lajmit për aksionin që u mbajt top sekret.

Bëhet fjalë për oficerët, E.Gjyli dhe E.Hoxha, me detyrë në sektorin e Krimeve të Rënda, të cilët janë vënë edhe nën hetim administrativ. Zyrtarët e policisë refuzuan të japin detaje të mëtejshme, për faktet që kanë kundër dy oficerëve të pezulluar.  Operacioni i mbajtur top sekret i zhvilluar më 1 korrik, pak orë pas atentatit në Murras ndaj dy vëllezërve, Baho, ku njëri prej tyre mbeti i vrarë.

Ekskluzisht News24 publikoi detajet e aksionit dhe fotot e armëve të zbuluara në një magazinë, ngjitur me një karburant, në aksionin rrugor Elbasan-Papër.  Gjithashtu theksoi faktin se ishte shpallur në kërkim pronari i ambjentit ku ishte gjetur arsenali, shtetasi me incialet Ilir B., i njohur me nofkën Licja dhe nipi i tij. Përpara se të publikonte lajmin, televizioni News24 kontaktoi me zyrtarët më të lartë të policisë së shtetit, të cilët nuk pranuan ta konfirmonin aksionin.Zëdhënësi i policisë së Shtetit Genti Mullai u shpreh për News 24 se nuk kishte asnjë dijeni për cështjen në fjalë.

Dy ditë më vonë, paraditen e kësaj të enjteje, policia në mënyrë indirekte pranoi faktin se në Elbasan ishte realizuar një aksion gjatë të cilit kishte sekuestruar numrin e madh të armëve, si pistoleta, armë automatike apo snajpera. Policia e cila informon edhe për ngjarjet më të parëndësishme, në rastin konkret u kujdes që kjo cështje të kalonte në heshtje. Arsyet për këtë mbeten të paqarta, megjithatë, nxitoi nga ana tjetër të konfirmonte lajmin se kishte pezulluar nga detyra dy oficerët që “nxorrën sekretin”.

Armët e sofistikuara të cilat dyshohen se i përkasin një grupi të mirëorganizuar në Elbasan janë dërguar për ekspertizë në laboratorin qendror shkencor. Dyshimet janë se disa nga armët janë përdorur në ngjarje të rënda kriminale në Elbasan e Shkodër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb