ITALI

Policia italiane ka zhvilluar një operacion antidrogë në komunën veriore të Selvazzanos, duke vënë në pranga dy shqiptarë.

Forcat policore italiane bëjnë me dije se kishin vënë re shenjat e dyshimta të shqiptarëve dhe kishin nisur që t’i vëzhgonin ato. Shqiptarët e prangosur janë shtetasit Endri Hoxha dhe Amarild Mejdiaj, 29-vjeçarë, shkruajnë mediat e vendit fqinj.

Policia e kishte mbajtur për një kohë të gjatë nën vëzhgim Hoxhën. Ata e ndoqën atë deri në Selvazzano, kur ai parkoi makinën në Via Campania dhe u bashkua me Mejdiajn. Karabinierët vunë re se takimi i tyre ishte qartësi për pazare të drogës. Hoxha hapi bagazhin e makinës dhe lejoi Mejdiajn që ai të linte aty disa ngarkesa, që dyshohet se ishin lëndë narkotike.

Ndërsa karabinierët e bllokuan Hoxhën, Mejdiaj tentoi të arratiset nëkëmbë, por pak metra më tutje u kap. Karabinierët sekuestruan 2.6 kg heroinë, plus 200 gram kokainë si dhe 340 euro të gatshme. Edhe në banesën e Mejdiaj u gjet drogë. Nga hetimet rezulton se Hoxha ishte ai që furnizonte Mejdiajn me drogë. Të dy u arrestuan dhe u transferuan në burgun Rovigo dhe Vicenza.

Mejdiaj ishte person me precedentë penalë të shumtë, ndërsa Hoxha nuk kishte precedentë, së paku në Itali. Mësohet se Endri Hoxha ishte i pastrehë në shtetin fqinj, ndërsa nuk rezulton problematik në raport me ligjin. Por, karabinierët dyshojnë se dy 29-vjeçarët nuk janë të vetëm në këtë veprimtari kriminale, pasi ata mund të jenë vetëm zinxhiri i fundit i trafikut të drogës.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb