Detaje të tjera për shqiptarin e arrestuar në Montana, SHBA për shkak të aspiratave të tij për t’iu bashkuar ISIS. Megjithëse bëhet fjalë vetëm për akuza, për 21-vjeçarin Fabjan Alameti, ai vetë ka mohuar gjithçka.

Por gjendja e tij shëndetësore dhe psikologjike mund të sjell dhe lehtësira. Alameti ishte shtruar më 25 mars në spital pasi kishte pirë shumë alkool.

Alameti ka mohuar se ka shprehur dëshirën për të dëmtuar amerikanët apo luftuar ushtrinë amerikane jashtë shtetit. Madje ai ka thënë dhe se kurrë nuk ka shprehur dëshirën për të luftuar për ISIS.

Por një informator federal tha se e kishte regjistruar 21-vjeçarin të martën teksa blinte marijuanë dhe thoshte se ditën tjetër mund të vdiste. Kur u arrestua të martën ai kishte në një poligon për të marrë një armë me qira. Akuza federale me të cilën ai u arrestua thotë se është e paligjshme që të posedojë një armë gjatë përdorimit të drogës.

Autoritetet amerikane thanë se 21-vjeçari kishte shprehur dëshirën për t’u hakmarrë për sulmet e muajit të kaluar në xhamitë e Zelandës së re.

Zyrtarët thanë në një komunikatë se personi Fabjan Alameti, 21 vjeç kishte udhëtuar kohët e fundit në Montana nga Nju Jorku dhe ndaj tij u ngritën akuza për deklarata të rreme dhe armëmbajtje të paligjshme.

Një agjent i FBI-së tha në gjykatë se Alameti ishte intervistuar një herë në vitin 2018 dhe se më vonë kishte bërë komente pro-ISIS-it në Facebook.
Sipas agjentit, Alameti kishte folur me një informator për t’iu bashkuar ISIS-it në Irak dhe Siri si dhe për të ndëmarrë një sulm kundër një objekti ushtarak në SHBA. Por sipas agjentit, Alameti tha më vonë se nuk kishte në plan të ndërmerrte një sulm të tillë pasi SHBA i kishin dhënë shtetësinë.

Autoritetet thanë se fjala është thjesht për akuza dhe se Alameti presupozohet i pafajshëm nëse nuk gjendet fajtor. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në 10 vjet burgim dhe me 250 mijë dollarë gjobë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: