Policia italiane arrestoi 35-vjeçarin Klajdi Merkaj, i shpallur në kërkim nga SPAK.

Gazetari i News24, Igli Çelmeta, bëri të ditur se Merkaj u arrestua nga policia italiane pas informacioneve të siguruara nga Policia e Shtetit. Arrestimi i Merkajt u bë me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

“Si rezultat i sigurimit të informacionit nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e një të kërkuari për llogari të SPAK, dhe shkëmbimit të këtij informacioni, në kohë reale, me partnerët në Itali, në kuadër të operacionit të koduar “Para drejtësisë”, Policia Italiane arrestoi, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasin K. M., 35 vjeç.

Ai kërkohej ndërkombëtarisht, sepse më datë 29.07.2024, GjKKO i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Romën, për të kryer ekstradimin e shtetasit K. M., në Shqipëri”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Shpallja në kërkim e Merkajt është bërë në kuadër të hetimeve që SPAK ka nisur ndaj personazheve të njohur të botës së krimit dhe lidhjeve të tyre, veçanërisht pas çkodimit të bisedave në aplikacionin “Sky Ecc”.

Merkaj po hetohet lidhur me vëllezërit Çopja. Bisedat mes Klajdi Merkajt dhe Franc Çopjes përmes aplikacionit Sky ECC janë pjesë dosje voluminoze të SPAK për organizatën kriminale “Çopja”, e akuzuar për një seri vrasjesh me pagesë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb