Identifikohet edhe personi i tretë i cili është arrestuar sot me urdhër të SPAK. Gazetarja Klodiana Lala konfirmon për BalkanWeb se personi i arrestuar është shtetasi Alfred Nikollaj. Mëngjesin e kësaj të enjte, Ilir Beqaj u arrestua me urdhër të SPAK së bashku me dy persona të tjerë. Një nga personat e arrestuar është Ermal Kurtulaj, financier dhe njeriu i besuar i ish-ministrit. Nikollaj dhe Kurtulaj njihen si bashkëpunëtorë të ngushtë me ish-ministrin Beqaj.

Ermal Kurtulaj është personazhi kyç në hetimet e SPAK për pastrimin e parave dhe Ilir Beqaj përdorte automjetin e tij për t’u paraqitur në SPAK.

“E kam thënë prej kohësh ka një arsye pse vij me automjetin e të tjerëve, nuk di ti jap makinës, nuk kam pasur kurrë dëshmi drejtimi”, tha Beqaj.

Ilir Beqaj mësohet se ka pasur njohje me Ermal Kurtulajn, koordinator i një projekti me fondet e BE-së dhe ka qenë një gjobë makinë që ka “fundosur” ish-ministrin e Shëndetësisë.

SPAK nisi hetim pasuror nga lidhur me abuzimet me fondet e SASPAC (Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), e cila drejtohej nga Beqja deri në momentin që ky i fundit u detyrua të japë dorëheqje pasi GJKKO caktoi dy masa sigurie ndaj tij: detyrim paraqitje dhe ndalim të udhëtimeve jashtë vendit.

(Saktësim: BalkanWeb nga nxitimi në raportim pasi një ish-ministër ishte vënë në pranga, ka ngatërruar fillimisht emrin e të arrestuarit Alfred Nikollaj me ish-zv/ministrin e Shëndetësisë, Albert Nikolla. Duke i kërkuar ndjesë z.Nikolla, shpresojmë në mirëkuptimin e tij). 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: