Dy të burgosur janë gjetur të vdekur në burgun e Malandrinos në Greqi, dy ditë më parë. Njëri nga të dënuarit, sipas mediave greke, ishte shqiptar.

Sot, autoritetet e vendit fqinj i janë përgjigjur institucioneve shqiptare duke konfirmuar se një nga të dënuarit që ndërroi jetë është shqiptar si dhe kanë bërë të mundur identifikimin e tij. Sipas policisë, viktima është 37-vjeçari nga Fieri, Armand Nuraj.

“Në orët e para të mëngjesit të datës 01.12.2024, janë gjetur pa shenja jete nga rojet e burgut në Malandrino, dy të dënuar (në të njëjtën qeli). Njëri nga ata është identifikuar shtetasi shqiptar Armand Nuraj, dtl. 06.07.1987, lindur në Fier”, njofton policia.

Ai ishte duke vuajtur dënimin për trafikim të lëndëve narkotike. “Edhe pas ndihmës të dhënë, i dënuari shqiptar nuk arriti të mbijetonte”, thuhet në përgjigjen e autoriteteve greke.

Aktualisht nuk ka të dhëna për ndonjë ngjarje kriminale, por gjithsesi autoritetet lokale të policisë janë duke kryer hetime. Vijojnë të mbeten mister rrethanat e vdekjes së dy të dënuarve në qelitë e burgut grek.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb