Ka përfunduar operacioni policor i koduar “Green Border”, i cili ka synuar parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, veçanërisht ato që lidhen me kalimet e paligjshme të kufirit.
Gjatë operacionit është kapur dhe arrestuar një 41- vjeçar i identifikuar si Blerjan Medolli, i cili akuzohet për ndihmën në kalimin e paligjshëm të kufirit.
Ky person në bashkëpunim me një shtetas tjetër i cili është arrestuar në Greqi për të njëjtën vepër, ka ndihmuar për kalimin e paligjshëm kundrejt fitimit 600 deri në 800 euro të tre shtetasve përfshirë një foshnjë 9 muajsh dhe nënën e saj, nga territori shqiptar në Greqi përmes kufirit të gjelbër të Kapshticës.
Hetimet sugjerojnë se ky individ ka pasur aktivitete të ngjashme edhe më parë, duke bashkëpunuar me shtetasin e arrestuar në Greqi.
Njoftim:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Green Border”.
Ndihmonte kundrejt fitimit 600 deri në 800 euro shtetas të ndryshëm për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçari.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçe, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Kufitare të Kufirit Jeshil Kapshticë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Green Border”.
Gjatë këtij operacioni, u kap në Tresenik, dhe u vu në pranga shtetasi B. M., 41 vjeç, banues në fshatin Tresenik, Devoll, për veprën penale ” Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin K. I që jeton në shtetin grek, dhe është arrestuar në Greqi, për të njëjtën vepër penale, kanë ndihmuar për të kaluar në mënyrë të jashtëligjshme tre shtetas, (ndërmjet tyre dhe një foshnjë 9 muajsh me mamanë e saj), nëpërmjet kufirit të gjelbër Kapshticë, për në shtetin Grek.
Po nga hetimet dyshohet se ky shtetas këtë veprimtari kriminale e ka kryer dhe më parë në bashkëpunim me shtetasin e arrestuar në Greqi nga Policia greke , pas shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të DVKM Korçë dhe Policisë Kufitare greke.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)