Artan Zylyftari, i dënuar nga SPAK për kultivim të bimëve narkotike ka ndërruar sot jetë nga një arrest kardiak.
Mësohet se 31-vjeçari është ndjeë keq gjatë mesditës dhe të paraburgosurit e dhomës kanë njoftuar punonjësin e policisë në detyrë për shqetësimet shëndetësore të Zylyftarit.
Atij i është dhënë ndihma e parë në ambientet e infermierisë dhe më pas ai është shoqëruar drejt QSUT por nuk ka mundur të mbijetojë.
Kujtojmë se Zylyftari u arresua gjatë operacionit “Shpirti” , icili u zhvillua 2 vite më parë, në korrik 2021, ku u goditën disa grupe kriminale.
Hetimi i autoriteteve italiane për 5 vite me radhë çoi në pranga 38 persona. Në atë kohë u sekuestruan 4 milionë euro pasuri.
Njoftimi zyrtar:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, njofton se me datën 28.10.2023, rreth orës 16.20 në Reanimacionin Qendror të QSUT ka ndërruar jetë me arres kardiak, shtetasi Artan Luan Zyliftari, i datëlindjes 17.04.1992, lindur dhe banues në Skrapar.
Ndaj shtetasit Artan Luan Zyliftari ishte marrë masa e sigurisë arrest me burg me vendim Nr.45, datë 30.06.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i dyshuar për veprat penale të parashikuar nga neni; 284/1, 333/a dhe 334 të Kodit Penal, (kultivim i bimëve narkotike në bashkëpunim) i vendosur në sektorin 1, godina B të IEVP Jordan Misja”, nga data 05.07.2021.
Me datë 28.10.2023, rreth orës 15.12 punonjësi i sigurisë në detyrë, njoftohet nga të paraburgosurit e dhomës për shqetësimet shëndetësore të shtetasit Zyliftari. Në mënyrë të menjëhershme është paraqitur stafi shëndetësor në detyrë dhe kanë bërë përpjekje për ti dhënë ndihmën e parë në ambjentet e infermierisë.
Në orën orën 15.28 pacienti është shoqëruar për në QSUT, Pavioni Kardiologji. Megjithë ndërhyrjen e stafit të specializuar në QSUT, në orën 16.20, pacienti ka bërë exitus letalus (vdekje) nga arrest kardiak.
Pacienti gjatë qëndrimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Jordan Misja, është kontrolluar rregullisht dhe gjithë vizitat mjekësore dhe terapitë janë administruar në kartelen shëndetësore nr.3350 të këtij pacienti. Pacienti është trajtuar për hipertension sipas protokolleve të miratuara dhe gjendja shëndetësore e tij ka qenë e qëndrueshme.
Drejtoria e IEVP Jordan Misja, ka kryer të gjitha procedurat ligjore të parashikuara, duke njoftuar strukturat e Policisë së Shtetit, të Prokurorisë dhe familjarët.
Me këtë rast Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i shpreh ngushëllimet familjareve të të ndierit.